Skandal i mundshëm diplomatik: Putin dhe Trump kanë negociuar në heshtje “kapitullimin” e Ukrainës – detajet dalin në dritë

Zyrtarë amerikanë dhe rusë kanë hartuar në mënyrë të heshtur një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili sipas mediave do t’i kërkonte Kievit heqje dorë nga territoret dhe zvogëlim drastik të ushtrisë së tij.

Lajmi u publikua të mërkurën – të njëjtën ditë kur dronët dhe raketat ruse vranë të paktën 25 persona në Ternopil.

Sipas Financial Times dhe Reuters, dokumenti është përgatitur nga i dërguari special i Donald Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev.

Dokument që kufizon sovranitetin ukrainas

Dokumenti përmban masa që do të vendosnin kufizime të thella politike dhe të sigurisë ndaj Ukrainës, duke i dhënë Rusisë – siç thuhet – një nivel të paprecedentë kontrolli mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit.

Në Kiev, plani është cilësuar tashmë si një kapitullim i maskuar.

Nuk është e qartë nëse administrata e Donald Trumpit e ka miratuar zyrtarisht propozimin, megjithëse Witkoff dhe Dmitriev po veprojnë si kanal joformal i komunikimit mes Uashingtonit dhe Moskës.

Axios publikoi i pari informacionin për dokumentin prej 28 pikash, që thuhet se është frymëzuar nga plani i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar.

Sipas detajeve të deritanishme, Ukraina sipas planit duhet të:

  • dorëzojë pjesë të territorit lindor,

  • përgjysmojë madhësinë e ushtrisë,

  • pranojë kufizime në llojin e ndihmës ushtarake amerikane dhe armatimit.

Presidenti Volodimir Zelenski ka thënë më herët se këto kushte janë të papranueshme.

Diplomacia në krizë, ndërsa Rusia shton sulmet

Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio deklaroi të mërkurën se “për një paqe të qëndrueshme, të dyja palët duhet të pranojnë kompromis të vështirë, por të domosdoshëm”.

Ndërkohë, Rusia kreu një sulm masiv mbi Ukrainën perëndimore. Objekt i sulmeve ishin:

  • qyteti Ternopil,

  • objektet energjetike në Ivano-Frankivsk,

  • rajoni i Lvivit.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, në Ternopil u vranë 25 persona, përfshirë tre fëmijë, dhe 73 të tjerë u plagosën. Dëshmitarët flasin për një seri shpërthimesh të fuqishme dhe zjarr masiv në ndërtesa të larta.

Një banor lokal, Jaroslav Tesljuk, tha:

“Dëgjova një bubullimë të fortë, pastaj zërin e dronëve ‘shahid’, raketat dhe shpërthimet. Zjarri nisi menjëherë. Më thanë që disa njerëz u dogjën duke fjetur.”

Zelenski nga Ankara: “Presioni ndaj Rusisë është i pamjaftueshëm”

Gjatë vizitës në Ankara, ku u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Zelenski tha se çdo sulm rus dëshmon se presioni ndërkombëtar është ende i pamjaftueshëm dhe kërkoi përshpejtimin e dorëzimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë, negociatat e mundshme të paqes kanë ngecur prej muajsh për shkak të kërkesave maksimale të Moskës. Forcat ukrainase janë nën presion në disa pjesë të frontit, sidomos pas avancimeve të fundit ruse në Pokrovsk.

Situata rëndohet më tej nga një skandal i zgjeruar korrupsioni në sektorin energjetik, që është shndërruar në krizën më serioze politike në vend që nga fillimi i pushtimit rus.

Uashingtoni dhe Moska – dy versione të kundërta

Sekretari amerikan i ushtrisë Daniel Driscoll mbërriti të mërkurën në Kiev për të diskutuar nisma të reja diplomatike.

Zyrtarët rusë, megjithatë, pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë propozim të ri amerikan. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Moska “nuk ka pranuar asnjë dokument të atij niveli”.

Edhe Kremlini mohoi çdo përparim në bisedimet e paqes.

Portparoli Dmitry Peskov deklaroi:

“Për momentin, nuk ka asgjë të re për të njoftuar.”

Kategoritë
BotaLajme