Situata në Mal të Zi përshkallëzohet: Kërcënime me vdekje ndaj reisit Rifat ef. Fejziç – reagon edhe Bashkësia Islame në Bosnjë e Hercegovinë

Bashkësia Islame në Mal të Zi ka njoftuar sot se ndaj reisit Rifat ef. Fejziç janë dërguar përmes rrjeteve sociale kërcënime të shumta me vdekje, fyerje të rënda dhe mesazhe urrejtjeje.

Lidhur me këto mesazhe shqetësuese, që i janë dërguar reisit ditëve të fundit, është njoftuar edhe policia e Malit të Zi.

“Duke pasur parasysh atmosferën e nxehur të linçimit, ksenofobisë dhe islamofobisë që po përhapet në hapësirën publike, Bashkësia Islame shpreh shqetësim të thellë dhe kërcënimet i konsideron reale dhe serioze”, thuhet në njoftim.

Bashkësia Islame e Malit të Zi thekson se pret reagim të institucioneve kompetente.

“Bashkësia Islame dënon pa mëdyshje çdo akt dhune, duke shprehur dëshirën për shërim të shpejtë të të riut të plagosur. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje institucioneve dhe faktorëve shoqërorë që të bëjnë përpjekje shtesë, në mënyrë që fajësia individuale të mos kthehet në arsye legjitime për stigmatizimin e një populli apo feje të tërë”, thuhet në reagim.

Reagimi i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë

Edhe Bashkësia Islame në Bosnjë e Hercegovinë ka reaguar, duke dënuar ashpër këto kërcënime ndaj reisit Fejziç.

“Bashkësia Islame në Mal të Zi dhe reisi i saj janë, me veprimtarinë e tyre, garant dhe promotor i marrëdhënieve të mira ndërfetare e ndërnjerëzore në shoqërinë malazeze. Prandaj, këto kërcënime dhe shpërthime urrejtjeje janë edhe më të neveritshme, pavarësisht arsyes së tyre. Pamjet dhe mesazhet që vijnë këto ditë nga Mali i Zi kanë shqetësuar komunitetet myslimane në Ballkan dhe qytetarët që të ardhmen e rajonit nuk e shohin në kaos apo në nxitjen e urrejtjes dhe dhunës”, thuhet në deklaratë.

Bashkësia Islame e Bosnjës paralajmëron se veprime të tilla të papërgjegjshme dhe të paligjshme, nëse nuk sanksionohen, mund të kenë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndërmjet popujve edhe përtej kufijve të Malit të Zi.

Sfondi

Ditët e fundit, Malin e Zi e ka përfshirë një valë dhune ndaj qytetarëve turq, pas një rasti ku një shtetas nga Podgorica u plagos me thikë – ngjarje në të cilën, sipas policisë malazeze, ishin të përfshirë shtetas të Turqisë dhe Azerbajxhanit.

Pas incidentit, në disa qytete shpërthyen protesta me mesazhe urrejtjeje ndaj turqve dhe boshnjakëve, duke shkaktuar tensione ndëretnike në vend.

Kategoritë
LajmeRajoni