Siria do të mbajë zgjedhje më 5 tetor për të zgjedhur dy të tretat e Asamblesë Popullore (Parlamentit) të vendit
Të hënën në Siri filloi fushata për zgjedhjet parlamentare të javës së ardhshme, të parat që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, transmeton Anadolu.
Siria do të mbajë zgjedhje më 5 tetor për të zgjedhur dy të tretat e Asamblesë Popullore (Parlamentit) të vendit.
Kreu i komisionit zgjedhor, Mohammed Taha al-Ahmad tha se fushata për zgjedhjet do të vazhdojë deri të premten në mbrëmje. Heshtja zgjedhore do të hyjë në fuqi të shtunën përpara zgjedhjeve të së dielës, i tha ai Agjencisë arabe siriane të lajmeve (SANA).
Ahmad tha se votimi do të fillojë të dielën në orën 9:00 të mëngjesit sipas orës lokale. Ai shtoi se 1.578 kandidatë garojnë për vende parlamentare në 50 distriktet e vendit. Gratë përbëjnë 14 për qind të totalit të kandidatëve.
Më 13 qershor, presidenti Ahmad al-Sharaa lëshoi një dekret për themelimin e Komitetit të Lartë Zgjedhor, duke vendosur fillimisht numrin e vendeve parlamentare në 150 përpara se ta zgjeronte atë në 210.
Sipas dekretit, komiteti ka për detyrë të formojë organe zgjedhore, të cilat do të zgjedhin dy të tretat e parlamentit. Një e treta e mbetur do të emërohet nga presidenti.
Vendet do të shpërndahen nëpër provinca bazuar në popullsi dhe do të kategorizohen në zona zgjedhore për udhëheqësit e komunitetit dhe intelektualët, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga komiteti.
Assadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Ba’ath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga Al-Sharaa u formua në janar.