Simbolika e datës së sulmit ndaj Venezuelës: 36 vjet më parë u arrestua presidenti i Panamasë, gjashtë vjet më parë u vra Soleimani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ndaj Venezuelës dhe, në një operacion special, kanë rrëmbyer presidentin e këtij shteti, Nicolás Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij. Është domethënëse se data e operacionit ishte 3 janari, një datë e cila tashmë është e shënuar në historinë e ndërhyrjeve amerikane.

Para 36 vjetësh, forcat amerikane arrestuan diktatorin e Panamasë Manuel Noriega, ndërsa në vitin 2020, me urdhër të drejtpërdrejtë të Donald Trump, u krye atentati ndaj komandantit të lartë të Gardës Revolucionare Iraniane, Qasem Soleimani.

Noriega, ish-aleat i SHBA-së dhe bashkëpunëtor i CIA-s, drejtoi Panamanë gjatë pjesës më të madhe të viteve ’80, por në fund të sundimit të tij humbi mbështetjen e Uashingtonit për shkak të akuzave për trafik droge.

Ish-presidenti amerikan George H. W. Bush urdhëroi pushtimin ushtarak të Panamasë në fund të vitit 1989, çka e detyroi Noriegën të strehohej në ambasadën e Vatikanit, përpara se të dorëzohej te autoritetet amerikane më 3 janar 1990.

Në SHBA ai u dënua për trafik droge dhe kaloi 20 vjet burg, përpara se të dërgohej në Francë për vuajtjen e një dënimi për pastrim parash, e më pas në Panama, ku u burgos për vrasje dhe akuza të tjera. Noriega vdiq në Panama në vitin 2017.

Ndërkohë, Qasem Soleimani, ish-komandant i forcave elitare Quds, degë e operacioneve të jashtme të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik, luajti për dekada një rol kyç në drejtimin e aktiviteteve iraniane në Lindjen e Mesme. Ai u vra në një sulm ajror amerikan më 3 janar 2020.

I njohur shpesh si “komandanti në hije”, Soleimani udhëhoqi përpjekjet iraniane për të ndikuar zhvillimet në rajon, duke mbikëqyrur aktivitetet në vende si Libani, Iraku dhe Siria. Në Iran, ai konsiderohet një hero kombëtar.

Kategoritë
BotaLajme