Gazeta amerikane New York Times ka publikuar detaje të operacionit “Vendosmëria Absolute”, në kuadër të të cilit në Venezuelë u arrestuan presidenti Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij.
Në artikull, gazetarët, duke iu referuar disa burimeve, kanë zbuluar hollësi të aksionit dhe informacione deri më tani të panjohura mbi përgatitjet e gjata të operacionit.
“Në gusht, një ekip sekret oficerësh të CIA-s hyri në Venezuelë me planin për të mbledhur informacione mbi presidentin e vendit, Nicolas Maduro, të cilin administrata e Trumpit e kishte cilësuar si narkoterrorist. Ekipi i CIA-s lëvizte nëpër Karakas, duke mbetur i pazbuluar për muaj të tërë. Të dhënat e inteligjencës mbi lëvizjet e përditshme të udhëheqësit venezuelas – të kombinuara me një burim pranë Madurës dhe një flotë dronësh të padukshëm që fluturonin fshehurazi mbi qytet – i mundësuan agjencisë të hartëzonte me imtësi rutinat e tij. Ishte një mision jashtëzakonisht i rrezikshëm. Meqenëse ambasada amerikane ishte e mbyllur, oficerët e CIA-s nuk mund të vepronin nën mbulesë diplomatike. Megjithatë, operacioni ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, deklaroi në një konferencë për shtyp se falë inteligjencës së mbledhur, Shtetet e Bashkuara e dinin se ku lëvizte Maduro, çfarë hante dhe madje edhe çfarë kafshësh shtëpiake mbante”, thuhet në shkrim.
Këto informacione ishin kyçe për operacionin ushtarak që pasoi: bastisjen para agimit të së shtunës nga komandot elitare të Delta Force të ushtrisë amerikane, operacioni më i rrezikshëm i këtij lloji që nga vrasja e Osama bin Ladenit nga SEAL Team 6 në Pakistan më 2011.
“Rezultati ishte një operacion taktikisht i saktë dhe i shpejtë, që e nxori Maduron nga vendi i tij pa humbje jete amerikane. Presidenti Trump e shpalli këtë mes debatit për ligjshmërinë dhe arsyetimin e veprimeve amerikane në Venezuelë. Trump e justifikoi operacionin ‘Vendosmëria Absolute’ si goditje kundër trafikut të drogës. Megjithatë, Venezuela nuk është një aktor i madh në tregtinë ndërkombëtare të drogës krahasuar me vende të tjera. Zyrtarët u kishin thënë më herët udhëheqësve të Kongresit se synimi nuk ishte ndryshimi i regjimit. Trump ka deklaruar prej kohësh se është kundër okupimeve të huaja amerikane”, theksohet.
Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme amerikane në Panama apo operacionet e CIA-s në Kubë, kapja e Madurës ishte pothuajse e përsosur, sipas disa zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.
“Në përgatitje, komandot e Delta Force ushtruan nxjerrjen e objektivit brenda një maketi në përmasa reale të kompleksit të Madurës, të ndërtuar në Kentaki nga Komanda e Përbashkët e Operacioneve Speciale. Ata ushtruan thyerjen e dyerve prej çeliku me ritëm gjithnjë e më të shpejtë. Ushtria u përgatit për ditë të tëra, duke pritur kushte të favorshme moti dhe një moment kur rreziku për viktima civile të ishte minimal. Mes tensioneve të shtuara, Maduro lëvizte mes gjashtë deri në tetë lokacioneve, dhe SHBA-të jo gjithmonë e dinin se ku do të qëndronte deri vonë në mbrëmje. Për të kryer operacionin, ushtrisë amerikane i nevojitej konfirmimi se Maduro ndodhej në kompleksin e përgatitur për sulm”, shpjegohet.
Në ditët para sulmit, SHBA-të dislokuan një numër në rritje avionësh për operacione speciale, avionë për luftë elektronike, dronë të armatosur Reaper, helikopterë kërkim-shpëtimi dhe avionë luftarakë në rajon.
“SHBA-të ndërmorën edhe hapa të tjerë për të rritur presionin mbi Maduron dhe për t’u përgatitur për bastisjen. Një javë më herët, CIA kreu një sulm me dron mbi një objekt portual në Venezuelë. Për muaj të tërë, ushtria amerikane zhvilloi një fushatë juridikisht të diskutueshme, duke shkatërruar dhjetëra anije dhe duke shkaktuar vdekjen e të paktën 115 personave në Karaibe dhe Paqësorin lindor. Ditët e fundit, Maduro u përpoq ta parandalonte sulmin amerikan duke ofruar akses në naftën venezuelase, tha Trump të shtunën. Një zyrtar amerikan deklaroi se marrëveshja, e ofruar më 23 dhjetor, do ta nxiste Maduron të largohej nga vendi drejt Turqisë. Megjithatë, Maduro e refuzoi ashpër këtë plan”, përshkruhet.
Dështimi i negociatave hapi rrugën për misionin e arrestimit.
“Në qeverinë venezuelase ndoshta nuk kishte dyshim se SHBA-të po vinin. Ushtria u përpoq të ruante surprizën taktike, si në operacionin veror kundër objekteve bërthamore iraniane. Trump autorizoi ushtrinë amerikane të niste operacionin që më 25 dhjetor, por kohën e saktë ia la Pentagonit dhe planifikuesve të operacioneve speciale për të siguruar gatishmërinë optimale. Ushtria amerikane dëshironte ta kryente operacionin gjatë festave, kur shumë zyrtarë qeveritarë dhe një pjesë e konsiderueshme e personelit ushtarak venezuelas ishin me pushime”, thuhet më tej.
Moti i pazakontë i keq e shtyu operacionin për disa ditë. Megjithatë, moti u përmirësua më herët këtë javë dhe komandantët ushtarakë panë një “dritare kalimtare” për goditje.
“Operacioni filloi zyrtarisht rreth orës 16:30 të së premtes, kur u dhanë autorizimet e para për nisjen e mjeteve ajrore. Brenda Venezuelës, gjithçka nisi me një operacion kibernetik që ndërpreu energjinë elektrike në pjesë të mëdha të Karakasit, duke mbuluar qytetin në errësirë për t’u mundësuar avionëve, dronëve dhe helikopterëve afrimin pa u zbuluar. Më shumë se 150 mjete ajrore ushtarake morën pjesë në mision, duke u nisur nga 20 baza të ndryshme ushtarake dhe anije të marinës”, shpjegohet.
Herët të shtunën në mëngjes, shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Karakas, ndërsa avionët amerikanë sulmuan radarët dhe bateritë kundërajrore.
“Megjithëse pamjet në rrjetet sociale dukeshin dramatike, zyrtarët amerikanë thanë se kryesisht u shkatërruan instalime radarësh. Ndërsa mbrojtja ajrore venezuelase u neutralizua, helikopterët amerikanë u vunë nën zjarr gjatë afrimit rreth orës 02:01 sipas kohës lokale. Gjenerali Caine tha se helikopterët u përgjigjën me ‘forcë dërrmuese’.”
Operatorët e Delta Force u transportuan drejt objektivit nga Regjimenti i 160-të i Operacioneve Speciale me helikopterë MH-60 dhe MH-47.
“Pasi zbarkuan, Delta Force lëvizi shpejt brenda ndërtesës. Rreth 2.000 kilometra larg, në Mar-a-Lago, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë e ndoqën operacionin në kohë reale përmes kamerave ajrore. Tre minuta pas shpërthimit të derës dhe rreth pesë minuta pas hyrjes në ndërtesë, Delta Force raportoi se Maduro ishte në paraburgim.”
Një negociator i FBI-së për pengje ishte i pranishëm në rast se Maduro do të refuzonte dorëzimin, por kjo nuk ishte e nevojshme. Operativët e Delta Force e hipën shpejt çiftin në helikopterë dhe u tërhoqën nga kompleksi.

















