Mediet izraelite kanë rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë që ushtria turke të marrë një rol kyç në forcën ndërkombëtare që po diskutohet për Gazën. Rritja e ndikimit të Turqisë në rajon ka dominuar sërish titujt e shtypit në Izrael. Në analizat e publikuara, theksohet se mbështetja e presidentit amerikan Donald Trump për pjesëmarrjen e Turqisë në forcën e stabilitetit që pritet të vendoset në Gaza ka shkaktuar shqetësim serioz në Tel Aviv.
Sipas Haaretz dhe The Jerusalem Post, roli i mundshëm i Turqisë në këtë forcë ndërkombëtare shihet si një “ndryshim strategjik” si për SHBA-të ashtu edhe për aktorët e tjerë rajonalë.
Ndjekje të veçanta po i bëhen edhe kontakteve mes të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, dhe diplomatëve turq.
Në një analizë me titull “Nëse Trump mbështet Forcën e Paqes së Erdoganit në Gaza, Izraeli mund të mbetet në periferi”, trajtohet roli që pritet të marrë Turqia në forcat ndërkombëtare të planifikuara për Gazën.
“Ushtria turke është gati dhe pret urdhërin” – pretendimi që tronditi Izraelin
Eksperti izraelit i Lindjes së Mesme, Tzvi Yecheskeli, në një deklaratë për The Jerusalem Post ka bërë pretendime të forta:
“Forcat turke i kanë përfunduar përgatitjet dhe po presin urdhërin. Trupat arabe ose ndërkombëtare që do të hyjnë në Gaza nuk do të përballen me Hamasin. Të lejosh turqit të hyjnë sërish në Gaza pas njëqind vjetësh do të ishte një gabim historik.”
Këto deklarata kanë shtuar komentet se “Turqia po rikthehet në rajon”.
F-35, KAAN dhe shqetësimet për balancën ajrore
Haaretz, në një analizë tjetër, i kushton vëmendje ekuilibrave ushtarakë në rajon. Sipas gazetës:
-
Presidenti Trump ka sinjalizuar mundësinë e rikthimit të Turqisë në programin F-35.
-
Arabia Saudite mund të blejë F-35, gjë që sipas Izraelit rrezikon epërsinë e tij ajrore.
-
Turqia po shkon drejt blerjes së këtyre avionëve.
-
Ankara po zhvillon bisedime për shitjen e avionit luftarak KAAN në Egjipt, çka ka shkaktuar “shqetësim strategjik” në Izrael.
Aproçimi Trump–Erdoğan po shqetëson Tel Avivin
Media izraelite shkruan se afrimi i fundit mes Donald Trump dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdoğan ka ngjallur pakënaqësi në Tel Aviv. Trump ka vlerësuar politikën e Turqisë në Siri dhe ka deklaruar se është në të njëjtën linjë me Ankaranë për të ardhmen e Sirisë, duke sjellë komente se “boshti Washington–Ankara po forcohet sërish”.
Pretendimi i Haaretz: “Trump e qortoi Netanyahun”
Sipas raportimit të Haaretz, Trump ka paralajmëruar ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me operacionin e Izraelit në zonën e Beit Jinit në Lartësitë e Golanit. Ky qëndrim raportohet se ka shkaktuar shqetësim diplomatik në Tel Aviv.










