Shtëpia e Bardhë zbulon planin 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza dhe për të rindërtuar enklavën

Propozimi i Trumpit përfshin lirimin e pengjeve, çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një plan gjithëpërfshirës 20-pikësh që synon t’i japë fund luftës në Gaza dhe të vendosë paqe afatgjate, derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti në takim kryeministrin izraelit, Benjamin Neanyhu, transmeton Anadolu.

Propozimi parashikon transformimin e Gazës në një “zonë të deradikalizuar dhe pa terrorizëm që nuk përbën kërcënim për fqinjët e saj”, duke siguruar që enklava “do të ri-zhvillohet për të mirën e popullit të Gazës, i cili ka vuajtur më shumë se sa duhet”.

Sipas planit, “nëse të dyja palët bien dakord me këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë” me forcat izraelite që tërhiqen në pozicionet e dakorduara. Sipas skicës së planit të ndarë edhe në mediat sociale, brenda 72 orëve nga pranimi i Izraelit, të gjitha pengjet, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, duhet të kthehen.

Pas lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm dhe 1.700 banorë të Gazës të arrestuar pas 7 tetorit të vitit 2023. Anëtarët e Hamasit që “angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe për çmontimin e armëve të tyre do të amnistohen”.

“Me pranimin e kësaj marrëveshje, ndihma e plotë do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës”, me shpërndarjen që do të vazhdojë “pa ndërhyrje nga të dyja palët përmes OKB-së dhe agjencive të saj”.

Qeverisja dhe rindërtimi

Sipas planit, Gaza do të qeveriset nga “një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” përgjegjës për shërbimet publike të përditshme. Hamasi dhe fraksionet e tjera nuk do të kenë “asnjë rol në qeverisjen e Gazës, drejtpërdrejtë, tërthorazi ose në asnjë formë”.

SHBA-ja do të punojë me partnerët arabë për të vendosur një Forcë të Përkohshme Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).

Nëse Hamasi e refuzon propozimin, “operacioni i ndihmës në shkallë të gjerë” do të vazhdojë në territore nën kontrollin e ISF-së.

Sipas planit, partnerët rajonal do të “sigurojnë që Hamasi dhe fraksionet të përmbushin detyrimet e tyre dhe që Gaza e Re të mos paraqesë kërcënim për fqinjët ose popullin e saj”.

“Izraeli nuk do të pushtojë ose aneksojë Gazën”, me forcat e saj ushtarake që tërhiqen teksa forca ndërkombëtar vendos kontrollin.

Një plan zhvillimi ekonomik i Trumpit për “të rindërtuar dhe fuqizuar” Gazën do të krijojë “një zonë të veçantë ekonomike me tarifa dhe norma aksesi të preferuara” të negociuara me vendet pjesëmarrëse.

“Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza dhe ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë këtë dhe të lirë të kthehen”, thotë plani.

Plani përfshin një proces dialogu ndër-fetar dhe pohon se “kur programi i reformës së Autoritetit Palestinez (AP) të zbatohet me besnikëri, kushtet më në fund mund të jenë në vend për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza mbi 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në zi buke.

Kategoritë
BotaLajme