Shtëpia e Bardhë publikoi planin e plotë të paqes për Gazën: Ndërprerja e luftës, tërheqja e Izraelit dhe pushteti tranzitor

Shtëpia e Bardhë ka publikuar planin e shumëpritur të paqes të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Gazën.

Sipas propozimit, Izraeli angazhohet se nuk do ta pushtojë dhe as nuk do ta aneksojë Gazën, ndërsa qëllimi i planit është krijimi i një “zone të ç-rradikalizuar pa terror” që nuk do të paraqesë kërcënim për fqinjët.

Plani parashikon përfundimin e menjëhershëm të luftës nëse të dyja palët e pranojnë propozimin, tërheqjen e forcave izraelite, lirimin e pengjeve dhe një proces të gjithanshëm të rindërtimit të Gazës nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump, pas përfundimit të takimit me Benjamin Netanyahun, deklaroi se ky marrëveshje duhet të sjellë “paqen e përjetshme në Lindjen e Mesme”. Netanyahu tashmë e ka mbështetur planin, ndërsa tani pritet përgjigjja e Hamasit.

Pikat kryesore të planit

  • Gaza do të jetë një zonë e ç-rradikalizuar pa terror, që nuk do të paraqesë kërcënim për fqinjët.
  • Gaza do të rindërtohet për të mirën e popullit të saj, i cili ka vuajtur mjaft.
  • Nëse palët e pranojnë këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen në një vijë të rënë dakord për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj kohe do të ndërpriten të gjitha operacionet ushtarake.
  • Brenda 72 orëve pas pranimit nga Izraeli, të gjithë pengjet, të gjallë apo të vdekur, do të kthehen.
  • Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm, plus 1.700 palestinezë nga Gaza të arrestuar pas 7 tetorit 2023, duke përfshirë gratë dhe fëmijët. Për çdo peng izraelit të kthyer i vdekur, Izraeli do të lirojë trupat e 15 palestinezëve nga Gaza.
  • Pas lirimit të pengjeve, anëtarët e Hamasit që pranojnë bashkëjetesë paqësore dhe dorëzojnë armët do të marrin amnisti. Për ata që duan të largohen nga Gaza do të mundësohet kalim i sigurt.
  • Ndihma humanitare e plotë do të hyjë menjëherë në Gaza, përfshirë rindërtimin e infrastrukturës, spitaleve, furrave të bukës, si dhe pastrimin e rrënojave.
  • Shpërndarja e ndihmave do të bëhet përmes OKB-së, Gjysmëhënës së Kuqe dhe organizatave ndërkombëtare neutrale. Kalimi Rafah do të hapet sipas mekanizmit të dakorduar më 19 janar 2025.
  • Gaza do të administrohet nga një komitet tranzitor teknik, apolitik palestinez, nën mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar “Komiteti i Paqes”, me kryetar Donald J. Trump dhe anëtarë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Tony Blair.
  • Do të krijohet një plan zhvillimi ekonomik për Gazën, me zona ekonomike të veçanta, për të tërhequr investime dhe hapur vende pune.
  • Askujt nuk do t’i imponohet largimi nga Gaza; ata që duan të largohen, do të mund të kthehen kur të duan. Qëllimi është që njerëzit të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një Gaza më të mirë.
  • Hamas dhe fraksionet e tjera nuk do të kenë rol në qeverisjen e Gazës. E gjithë infrastruktura ushtarake do të shkatërrohet nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
  • Do të zhvillohet dialog ndërfetar për të promovuar tolerancën dhe bashkëjetesën.
  • Do të krijohen kushte për vetëvendosjen palestineze dhe shtetësinë në të ardhmen.
  • SHBA, së bashku me partnerët arabë e ndërkombëtarë, do të krijojë Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për Gaza, për të trajnuar forcat policore palestineze dhe për të siguruar kufijtë me Egjiptin dhe Izraelin.
  • Izraeli nuk do ta okupojë ose aneksojë Gazën. Me kalimin e kohës, IDF do t’ia dorëzojë kontrollin ISF-së dhe do të tërhiqet gradualisht.

 

Kategoritë
BotaLajme