Shpërthim i madh: Ukrainasit sulmojnë hekurudhën transsiberiane të Rusisë

Shërbimi sekret ukrainas njoftoi se ka kryer një sulm ndaj hekurudhës transsiberiane të Rusisë. Sipas shërbimit të inteligjencës HUR në Telegram, objektivi i operacionit ishte bllokimi i furnizimeve me municion që transportohen drejt Rusisë nëpërmjet kësaj rruge.

Në kanalin e tyre, agjentët e HUR-it deklaruan se sulmi ka ndalur lëvizjen e ngarkesave ushtarake në një linjë hekurudhore që Moska e përdor “për furnizime me armë dhe municione, përfshirë ato që vijnë nga territori i Koresë së Veriut”.

HUR saktësoi se shpërthimi i fuqishëm ndodhi të enjten në krahinën Habarovsk dhe se ka “dëmtuar një nga rrugët më të rëndësishme logjistike ruse”.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar drejtpërdrejt për sulmin, por kanë njoftuar se në zonën Sosnovka, në rajonin e Habarovskut, “ka ndodhur një defekt në hekurudhë”.

Korea e Veriut është një nga aleatët më të afërt të Kremlinit dhe mbështet pushtimin rus të Ukrainës si me personel ashtu edhe me armatim, përfshirë sisteme të avancuara raketore dhe raketa balistike. Që nga viti 2023, ajo i ka furnizuar Rusisë 6.5 milionë predha artilerie, të cilat ushtria ruse i përdor në frontet e luftës në Ukrainë.

Magjistralja Transsiberiane, me një gjatësi prej mbi 9,000 kilometrash nga Moska në Vladivostok, është një ndër arteriet kryesore logjistike të Rusisë, pasi mundëson transportin e rezervave ushtarake nga lindja drejt vijave të frontit në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme