“Sekretari i përgjithshëm përshëndet njoftimin e djeshëm nga presidenti amerikan Trump, që synon të arrijë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme për Gazën dhe për rajonin”
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka përshëndetur planin 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm përshëndet njoftimin e djeshëm nga presidenti amerikan Trump, që synon të arrijë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme për Gazën dhe për rajonin”, tha në një deklaratë zyra e zëdhënësit të shefit të OKB-së.
Duke përshëndetur “rolin e rëndësishëm të shteteve arabe dhe muslimane në punën për këtë qëllim”, Guterres gjithashtu theksoi se “tani është thelbësore që të gjitha palët të angazhohen për një marrëveshje dhe zbatimin e saj”.
Shefi i OKB-së përsëriti se “përparësia jonë duhet të jetë lehtësimi i vuajtjeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga ky konflikt”.
“Ai përsëriti edhe një herë thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, qasje të pakufizuar humanitare në të gjithë Gazën dhe për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve dhe shpreson se kjo do të krijojë kushtet që lejojnë realizimin e zgjidhjes me dy shtete”, tha deklarata.
Dje, Trump përshkroi pikat kryesore të planit të tij të armëpushimit në Gaza në një konferencë për media në Washington me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyhu.
Plani me 20 pika përfshin, ndër dispozita të tjera, lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë, çarmatimin e grupit palestinez Hamas dhe formimin e një komiteti palestinez teknokratik, apolitik për të qeverisur përkohësisht enklavën.]
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.