Shefi i NATO-s thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

Shefi i NATO-s thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

“U bëjmë thirrje palëve që të ndalojnë hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të kthehen menjëherë në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE)”, theksoi Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu.

Stoltenberg, pas takimit që ka zhvilluar me kancelarin gjerman Olaf Scholz në kuadër të përgatitjeve për Samitin e NATO-s, tha në një konferencë për media se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt në Kosovë.

“Forcat tona të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje palëve që të ndalojnë hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të kthehen menjëherë në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE)”, theksoi Stoltenberg.

Gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.

Kryeministri Kurti tha se fillimisht dëshiron të presë vizitën e ambasadorit kosovar në Serbi, Jetish Jashari, në burgun e Kraljevës ku po qëndrojnë tre zyrtarët policorë të arrestuar nga autoritetet serbe dhe “vetëm kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë tek policët që po mbahen peng dhe rob në Serbi, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin për këtë”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Më 14 qershor në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit, në lokacionin e njohur si Tresave/Bare, sipas autoriteteve kosovare, janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues të cilët kanë qenë me detyrë në pikë statike thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të parandalimit të shfrytëzimit të rrugëve ilegale “të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Kjo erdhi pasi autoritetet kosovare më 13 qershor arrestuan në veri Milun Milenkoviqin – Llunen, si i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestat që filluan në veri nga 26 maji.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova