Serbia ka blerë nga Kina raketa balistike me rreze 200 kilometra, kinezët i quajnë “vrasësi i aeroplanmbajtëseve”

Sipas portalit Tango Six, në një nga fotografitë e avionëve luftarakë MiG-29SM+ shihen dy raketa balistike CM-400, të cilat janë blerë nga Kina dhe kanë rreze veprimi rreth 200 kilometra.

Informacionet e para për posedimin e këtij lloji të armës i dha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilović, i cili kohët e fundit foli për blerjen e një lloji municioni me rreze të ngjashme si sistemi izraelit PULS.

Raketa balistike CM-400 u prezantua për herë të parë në vitin 2013, ndërsa në publikimet kineze thuhet se rrezja e saj është 200 deri në 400 kilometra.

Sistemi i drejtimit është i kombinuar: navigim inercial me korrigjim përmes GNSS, ndërsa në fazën përfundimtare përdor kërkues televiziv (TV seeker). Për shkak se mund të përdoret edhe si raketë kundër anijeve, ajo shpesh quhet “vrasësi i aeroplanmbajtëseve”. Sipas specifikimeve zyrtare, devijimi i saj nga objektivi është 5 deri në 10 metra.

Sipas informacioneve publike, përdoruesi i vetëm i huaj i kësaj rakete është Forca Ajrore e Pakistanit, e cila përdor raketat CM400AKG në avionët JF-17.

Blerja e kësaj rakete përfaqëson një kapacitet të ri ushtarak për Ushtrinë e Serbisë, pasi vendet e rajonit nuk posedojnë armë raketore me aftësi dhe specifikime të ngjashme.

Nga ana tjetër, integrimi i kësaj rakete në avionët serbë MiG-29 është bërë në një periudhë kur pritet që këta avionë të tërhiqen gradualisht nga përdorimi, për shkak të përfundimit të resurseve të tyre operative.

Kategoritë
BotaLajme