Linja ajrore me kosto të ulët Ryanair ka kërkuar ndalimin e shitjes së alkoolit në aeroporte në orët e hershme të mëngjesit, duke deklaruar se kompania tani detyrohet të devijojë pothuajse një fluturim në ditë për shkak të sjelljes problematike të pasagjerëve, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për gazetën britanike The Times, drejtori ekzekutiv i kompanisë Ryanair, Michael O’Leary, tha se aeroportet duhet të ndalojnë shërbimin e alkoolit para fluturimeve të hershme, me qëllim uljen e incidenteve me pasagjerë të dehur ose të çrregullt në bord.
Ai tha se Ryanair po detyrohet të devijojë mesatarisht pothuajse një fluturim në ditë për shkak të sjelljes së keqe të pasagjerëve, krahasuar me rreth një fluturim në javë një dekadë më parë.
“Po bëhet një sfidë e vërtetë për të gjitha linjat ajrore. Nuk e kuptoj pse dikush në baret e aeroporteve shërben alkool në orën pesë apo gjashtë të mëngjesit. Kush ka nevojë të pijë birrë në atë kohë?”, tha ai.
Baret në aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar nuk janë të detyruara t’u nënshtrohen të njëjtave kufizime të orarit të licencimit si bizneset e tjera që shesin alkool.
“Nuk duhet të shërbehet alkool në aeroporte jashtë orareve të licencuara”, tha O’Leary.
Të qenit i dehur në avion është vepër penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të dënohet me gjobë deri në 5.000 paund (rreth 6.800 dollarë) dhe deri në dy vjet burg.
Incidentet po rriten, ndërsa Ryanair në janar të vitit 2025 njoftoi se kishte nisur edhe veprime ligjore kundër pasagjerëve problematikë për të rikuperuar humbjet nga fluturimet e devijuara.