Rutte: Është thelbësore që të ketë llogaridhënie për atë që ndodhi në Banjskë më 2023

Rutte gjithashtu tha se dialogu Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm dhe se NATO-ja e mbështet plotësisht këtë proces

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se është thelbësore që të ketë llogaridhënie për ngjarjet që ndodhën më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit

Rutte pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, në një konferencë për media ka folur për për rolin e NATO-s në Ballkan, për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe misionin në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për kontributin e Aleancës në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon.

Rutte tha se NATO-ja pret nga Serbia përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ata që kryen sulmin në shtator të vitit 2023 në Banjskë.

“Është po ashtu thelbësore që të ketë llogaridhënie për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjskë dhe për ngjarje të tjera. Presidenti i Serbisë ka premtuar se do ta sigurojë këtë llogaridhënie dhe ne presim që ai ta përmbushë këtë zotim së shpejti”, tha ai.

Rutte gjithashtu tha se dialogu Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm dhe se NATO-ja e mbështet plotësisht këtë proces.

Në konferencën për media, shefi i NATO-s u fokusua kryesisht në luftën në Ukrainë dhe në të ardhmen e buxhetit të Aleancës.

Kategoritë
LajmeVendi