Rusia testoi një raketë të re bërthamore lundruese, Putin: E tejkalon sistemet ekzistuese mbrojtëse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi të dielën se Rusia ka testuar një raketë të re bërthamore lundruese, e aftë të tejkalojë sistemet ekzistuese të mbrojtjes, dhe se po i afrohet futjes së saj në armatimin e ushtrisë ruse.

Në videon e publikuar nga Kremlini, Putin, i veshur me uniformë kamuflazhi, takohet me zyrtarë të lartë ushtarakë. Gjenerali Valerij Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm rus, tha se raketa “Burevestnik” ka përshkuar 14.000 kilometra gjatë testimit kyç të së martës dhe ka qëndruar në fluturim për 15 orë. “Kjo nuk është kufiri”, shtoi Gerasimov.
Në bisedën me Gerasimovin, Putin theksoi se është e nevojshme të përcaktohen mënyrat e mundshme të përdorimit të raketës dhe të përgatitet infrastruktura për futjen e saj në armatim. Presidenti gjithashtu pohoi se raketa është imune ndaj sistemeve ekzistuese dhe të ardhshme mbrojtëse, falë rrezes pothuajse të pakufizuar dhe fluturimit të paparashikueshëm.

Të mërkurën, Putin urdhëroi ushtrimet e forcave strategjike bërthamore të Rusisë, të cilat përfshinë lëshime provuese raketash. Ushtrimi u mbajt në një moment kur samiti i planifikuar i tij për Ukrainën me presidentin amerikan Donald Trump ishte shtyrë.

Kremlini njoftoi se manovrat përfshinë të gjitha komponentët e fuqisë bërthamore ruse, përfshirë raketat ndërkontinentale balistike të lëshuara nga baza në veriperëndim të Rusisë dhe nga një nëndetëse në Detin Barents. Ushtrimet përfshinë gjithashtu bombarduesit strategjikë Tu-95 që lëshuan raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi.

Sipas njoftimit të Kremlinit, qëllimi i ushtrimeve ishte testimi i aftësive të komandave ushtarake dhe strukturave kontrolluese.

Kategoritë
BotaLajme