Ministria ruse e Mbrojtjes tha se fshati Vesele në rajonin Zaporizhzhia është marrë nga grupi i forcave Vostok (Lindje)
Rusia pretendoi sot se forcat e saj kanë marrë kontrollin e një fshati tjetër në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se fshati Vesele në rajonin Zaporizhzhia është marrë nga grupi i forcave Vostok (Lindore).
Forcat ruse gjithashtu kanë goditur 146 zona, kanë shkatërruar dy raketahedhëse HIMARS të prodhuara në SHBA dhe kanë goditur infrastrukturën ushtarake energjetike ukrainase, depo logjistike, dronë me rreze të gjatë dhe baza të përkohshme të përdorura nga ushtria ukrainase dhe mercenarët e huaj, tha ministria.
Ministria po ashtu pretendon se është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve ajrore ukrainase gjatë natës, duke thënë se katër raketa “Storm Shadow” të prodhuara në Britani dhe 119 dronë janë rrëzuar.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha në një deklaratë se ka goditur një rafineri nafte në rajonin Ryazan të Rusisë dhe një pjesë të hekurudhës me produkte nafte në rajonin Perm gjatë natës.
Ajo po ashtu tha se një stacion elektrik u dëmtua në rajonin Kursk, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.
Verifikimi i pavarur i pretendimeve të të dyja palëve është i vështirë për shkak të konfliktit në vazhdim.











