Rusia kryen njërin nga sulmet më vdekjeprurëse në Ukrainë: Nëntë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Në një sulm rus ndaj qytetit Ternopil në Ukrainën perëndimore janë vrarë nëntë persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Në sulme janë goditur ndërtesa banimi me nëntë kate. Sipas presidentit ukrainas Volodimir Zelensky, Rusia gjatë natës ka lëshuar mbi 470 dronë dhe 47 raketa ndaj Ukrainës.

Tre rrethe të Harkivit, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, u goditën gjithashtu nga sulme masive, ku u plagosën mbi 30 persona, përfshirë edhe fëmijë.

Fotografitë tregojnë ndërtesa dhe automjete të përfshira nga flakët.
📸 Foto: Reuters

Siç njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës, për shkak të sulmeve ruse, shumë rajone në të gjithë vendin po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.

Ky sulm është një nga më vdekjeprurësit në Ukrainën perëndimore që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022. Zelensky deklaroi se në Ternopil ka pasur “shkatërrim të konsiderueshëm”, duke shtuar se nën rrënoja mund të ketë persona të bllokuar.

Objekte energjetike, infrastruktura transportuese dhe ajo civile janë dëmtuar edhe në zona të tjera të Ukrainës perëndimore.

Edhe në rajonin e Lvivit janë goditur infrastrukturat kritike dhe objekti energjetik.

Zelensky theksoi:

“Çdo sulm i pacipë kundër jetës së përditshme tregon se presioni ndaj Rusisë nuk është i mjaftueshëm. Sanksionet efektive dhe ndihma për Ukrainën mund ta ndryshojnë këtë.”

Kategoritë
BotaLajme