Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka thënë se SHBA-të kanë ndërmend të zvogëlojnë disa nga trupat e tyre të stacionuara në krahun lindor të NATO-s.
Bukureshti tha se në Rumani do të mbeten midis 900 dhe 1,000 trupa amerikane – nga 1,700 që ishin, transmeton Telegrafi.
Ministria tha se vendimi ishte i pritshëm dhe se “ridimensionimi” i forcave amerikane ishte rezultat i prioriteteve të reja të administratës presidenciale Trump.
Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu deklaroi se homologu i tij amerikan Pete Hegseth u kishte përcjellë kohët e fundit evropianëve se ata duhej t’i kushtonin më shumë vëmendje mbrojtjes së tyre, dhe se SHBA-të po e zhvendosnin vëmendjen e tyre drejt rajonit Indo-Paqësor.
“Një brigadë amerikane në bazën ajrore Mihai Kogalniceanu – që do të jetë më e madhja e NATO-s në Evropë – do të largohej me rotacion dhe nuk do të zëvendësohej”, tha Mosteanu.
Brigada ka “elementë” në Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Hungari, tha Mosteanu, megjithëse nuk ishte e qartë nëse trupat amerikane do të tërhiqeshin edhe nga këto vende.















