Rrugët e Prishtinës marrin pamje të “shëmtuar” nga mbeturinat

Së fundmi kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi”, njoftoi se ekipet e saj kanë dalë në terren “për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave”

Rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, kanë marrë pamje të “shëmtuar” për shkak të mos-largimit të mbeturinave nga dita e hënë e kësaj jave, raporton Anadolu.

Në shumicën e lagjeve të kryeqytetit tash e dy ditë mbeturinat kanë mbetur pa u larguar për shkak grevës së punonjësve të kompanisë rajonale “Pastrimi” me kërkesën e tyre për rritje pagash.

Punonjësit të cilët pastrojnë mbeturinat në kryeqytet nga kompania “Pastrimi”, paguhen 330 euro, ndërsa kërkesa e tyre ishte për të paktën 70 euro rritje page.

Megjithatë, pas një pune intensive nga zyrtarët komunal për të ndërmarrë diçka, në orët e vona të së martës kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se një ekip i kryeqytetit bashkë me punonjësit e kompanisë “Hortikultura” kanë filluar pastrimin e mbeturinave.

“Mbeturinat e grumbulluara po mblidhen dhe gjithë lokacionet e kontejnerëve po pastrohen me ujë”, theksoi Rama në orët e mbrëmjes së të martës, megjithëse mbeturina të shumta kanë mbetur edhe gjatë paradites së sotme, sidomos në lagjen “Tophane”.

Në këtë lagje, mbeturina të shumta përpos vendeve ku janë të vendosur kontejnerët kryesorë, të stërmbushura kanë qenë edhe kontejnerët e shkollës fillore “Meto Bajraktari”.

Së fundmi kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi”, njoftoi se ekipet e saj kanë dalë në terren “për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave”, për hir të qytetarëve. Ndërkaq, kanë thënë se presin që në ditët në vijim të arrijnë me marrëveshje deri tek përmbushja e kërkesave të punëtorëve të saj për rritje pagash.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi