Teksa forcat izraelite mbajnë të mbyllura shumë kalime në Bregun Perëndimor, ata nuk lejojnë hyrjen ose daljen nga qytetet dhe fshatrat palestineze në rajon
Derisa konflikti izraelito-palestinez hyn në ditën e 7-të, tensionet po rriten në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, raporton Anadolu.
Teksa forcat izraelite mbajnë të mbyllura shumë kalime në Bregun Perëndimor, ata nuk lejojnë hyrjen ose daljen nga qytetet dhe fshatrat palestineze në rajon.
Për shkak të pikave të shumta të kalimit ushtarak izraelit dhe mbylljeve të rrugëve, Bregu Perëndimor është ndarë në kantone të vogla, ndërsa shkollat, bizneset dhe institucionet publike në zonë janë të mbyllura.
Banorët e rajonit që folën për Anadolu deklaruan se ushtarët izraelitë përdorën plumba të vërtetë në vend të bombave me gaz dhe plumba gome gjatë protestave në solidaritet me Gazën.
Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë nga këtu në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Raportohet se 1.300 izraelitë humbën jetën dhe 3.300 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.
Nga ana tjetër, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 1.537 persona, mes të cilëve 500 fëmijë dhe 276 gra, humbën jetën dhe 6.612 të tjerë u plagosën në Gaza gjatë sulmeve izraelite.
Gjithashtu thuhet se 36 palestinezë vdiqën dhe 650 persona u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor.
