Revoltë në ushtrinë amerikane: Komandantët shtynë narrativë fetare dhe Armagedonin në Iran, pretendohet se Jezusi e zgjodhi Trumpin

Brenda Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara ka shpërthyer një skandal i paprecedentë pasi u zbulua se oficerë të lartë u kanë thënë ushtarëve se lufta në Iran është pjesë e “planit të Zotit” dhe se presidenti Donald Trump është zgjedhur hyjnisht për të nisur fundin e botës.

Sipas gazetarit amerikan Jonathan Larsen, një komandant i një njësie luftarake u tha nënoficerëve gjatë një brifingu se presidenti Donald Trump është “vajosur nga Jezusi për të ndezur zjarrin sinjalizues në Iran, për të shkaktuar Armagedonin dhe për të shënuar rikthimin e Tij në Tokë”.

Fatkeqësisht, kjo nuk është një rast i izoluar. Nga e shtuna në mëngjes deri të hënën në mbrëmje, Fondacioni për Liritë Fetare në Ushtri (MRFF) ka pranuar më shumë se 110 ankesa të ngjashme kundër komandantëve në pothuajse të gjitha degët e ushtrisë amerikane. Sipas fondacionit, ankesat vijnë nga më shumë se 40 njësi të vendosura në të paktën 30 baza ushtarake.

MRFF mban identitetin e denoncuesve në sekret të rreptë për të shmangur hakmarrjen e mundshme nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa Pentagoni deri më tani nuk ka komentuar këto pretendime tronditëse.

Një nënoficer, i cili deklarohet si i krishterë dhe njësia e të cilit është në gatishmëri për t’u dislokuar në zonë lufte, raportoi incidentin në emër të 15 ushtarëve. Midis tyre janë 11 të krishterë, një mysliman dhe një hebre.

Ai tha se komandanti i tyre kërkoi që ushtarëve t’u përcillej mesazhi se konflikti me Iranin është “pjesë e planit hyjnor”, duke cituar Librin e Zbulesës dhe duke paralajmëruar kthimin e afërt të Jezus Krishtit. Nënoficeri theksoi se deklarata të tilla “shkatërrojnë moralin dhe kohezionin e njësisë dhe shkelin drejtpërdrejt betimin për mbrojtjen e Kushtetutës”.

Ky incident vjen në kontekstin e politikave të ministrit të ri të mbrojtjes Pete Hegseth, i cili sipas raportimeve ka sjellë krishterimin evangjelist në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane. Hegseth organizon takime mujore lutjeje në Pentagon, ku edhe vetë mban fjalime për Jezus Krishtin, dhe së fundmi ka pritur edhe nacionalistin e ekstremit të djathtë të krishterë Doug Wilson.

Gjithashtu dihet se Hegseth merr pjesë në studime javore të Biblës në Shtëpinë e Bardhë. Këto takime udhëhiqen nga predikuesi Ralph Drollinger, i cili pretendon hapur se Zoti e urdhëron Amerikën të mbështesë Izraelin sepse “Zoti i bekon aleatët e Izraelit dhe i mallkon armiqtë e tij”.

Themeluesi dhe presidenti i MRFF, veterani i Forcave Ajrore amerikane Mikey Weinstein, deklaroi se janë fjalë për fjalë “të mbingarkuar” me ankesa që nga fillimi i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ai paralajmëroi për shkelje të rëndë të ndarjes kushtetuese midis shtetit dhe fesë, si dhe të Kodit të Unifikuar të Drejtësisë Ushtarake.

“Çdo pjesëtar i ushtrisë që përpiqet të përdorë vartësit e tij për të promovuar ëndrrat e tij të përgjakshme të nacionalizmit të krishterë mbi flakët e këtij sulmi të fundit ndaj Iranit duhet të ndiqet penalisht shpejt, në mënyrë agresive dhe publikisht”, tha ashpër Weinstein, duke shtuar se e njëjta “retorikë eskatologjike” shfaqet sa herë që përshkallëzohen konfliktet në Lindjen e Mesme.

Një problem i ngjashëm ndodhi edhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur presidenti i atëhershëm George W. Bush e quajti luftën kundër terrorizmit një “kryqëzatë”. Për shkak të rrezikut që kjo retorikë të interpretohej si luftë e krishterëve kundër islamit, administrata e tërhoqi shpejt këtë term nga përdorimi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nën administratën aktuale të Trumpit, nacionalizmi i krishterë në ushtri nuk po fshihet më. Mbetet për t’u parë nëse zyrtarët në Pentagon dhe mbrojtësit e vlerave sekulare do të arrijnë t’i kundërvihen kësaj “krishterizimi” radikal të luftës me Iranin.

Kategoritë
BotaLajme