Rast i pabesueshëm në SHBA: Burrë i akuzuar për vjedhjen e mbi 100 kafkave njerëzore, kockave dhe bizhuterive nga varrezat

Një burrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jonathan Gerlach, është akuzuar për vjedhjen e më shumë se 100 kafkave njerëzore dhe mbetjeve të tjera mortore.

Policia ka zbuluar gjithashtu shumë kocka të gjata, duar dhe këmbë të mumifikuara, trupa në dekompozim si dhe objekte skeletore në shtëpinë dhe në njësinë e magazinimit që ai zotëronte.

Arrestimi i Gerlach pasoi një hetim lidhur me thyerje dhe vjedhje në varrezat Mount Moriah në Yeadon, një periferi e Filadelfias.

Sipas policisë, Gerlach kishte në shënjestër mauzoleume dhe varre nëntokësore në një zonë prej 160 hektarësh, ku ndodhen rreth 150.000 varre.

Autoritetet njoftuan se janë gjetur edhe bizhuteri që besohet se janë marrë nga varret. Nga Prokuroria theksojnë se disa prej varreve janë qindra vjet të vjetra.

Gerlach u arrestua të martën teksa po kthehej në shtëpi. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai dyshohet se mbante me vete një çantë me mbetje të mumifikuara të dy fëmijëve të vegjël, tre kafka dhe kocka të tjera.

Dokumentet gjyqësore bëjnë të ditur se ai akuzohet për vjedhje, pranimin e pasurisë së vjedhur dhe keqtrajtim të kufomës. Gjithashtu, ai akuzohet për përdhosje të një monumenti publik, përdhosje të një objekti të nderuar dhe përdhosje të një varri historik.

Sipas dokumenteve, Gerlach ka pranuar vjedhjen e rreth 30 grupeve të mbetjeve mortore njerëzore nga Mount Moriah.

Autoritetet u informuan për krimet e dyshuara pasi anëtarë të bordit të një organizate jofitimprurëse, e cila punon për ruajtjen e varrezave, njoftuan policinë se varret ishin përdhosur.

Kategoritë
BotaLajme