Kryeministri spanjoll e vlerësoi Albanesen si “zë që mban ndërgjegjen e botës”
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i akordoi sot Urdhrin e Meritës Civile raportueses speciale të OKB-së, Francesca Albanese, duke njohur punën e saj në dokumentimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare në Rripin e Gazës.
Sanchez e priti Albanesen në Madrid, ku ata diskutuan situatën në Palestinë, rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe “nevojën për një fund të menjëhershëm të dhunës dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme të bazuar në dinjitet dhe humanitet”, thuhet në një deklarate të qeverisë.
“Përgjegjësia publike nënkupton edhe detyrimin moral për të mos mbyllur sytë”, shkroi Sanchez në rrjetet sociale, duke e vlerësuar Albanesen si “një zë që mban ndërgjegjen e botës”.
Urdhri i Meritës Civile është një nga nderimet më të larta civile në Spanjë dhe u jepet qytetarëve spanjollë dhe të huaj për shërbime të jashtëzakonshme ndaj shtetit ose shoqërisë.
Albanese, juriste italiane, që nga viti 2022 shërben si raportuese speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara. Ajo është bërë një nga zërat më të njohur ndërkombëtarë që kritikon operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.
Të martën, Sanchez i dërgoi gjithashtu një letër Komisionit Evropian duke kërkuar aktivizimin e “Statutit të Bllokimit” të BE-së për të kundërshtuar sanksionet amerikane ndaj Albaneses, si dhe ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Është si një mafie ndërkombëtare – duan të heshtin të gjithë ata që kërkojnë fundin e gjenocidit, fundin e krimeve”, i tha Albanese transmetuesit spanjoll RTVE, duke iu referuar sanksioneve ndaj saj.
Po sot, ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares kritikoi ndalimin nga Izraeli të aktivistit spanjollo-palestinez Saif Abukeshek, duke e quajtur “të papranueshëm”.
Albares i tha parlamentit spanjoll se kishte thirrur të dërguarin izraelit në Spanjë dhe kishte biseduar me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Saar.
Ai tha se Abukeshek është ndaluar “në mënyrë të paligjshme” në ujëra ndërkombëtare, ku Izraeli “nuk ka juridiksion”, gjatë udhëtimit me një flotilje ndihmash humanitare drejt Gazës.
“Spanja reagoi pa hezitim, me qartësi dhe vendosmëri të plotë, ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare”, tha Albares.









