Qendra e përbashkët turko-ruse në Malësinë e Karabakut nesër fillon funksionimin

“Punimet për krijimin e Qendrës së Përbashkët kanë përfunduar. Qendra e Përbashkët, ku ushtarët turq dhe rusë do të veprojnë, do të fillojë aktivitetet e saj nesër”, u shpreh ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, njoftoi sot përfundimin e ndërtimit të qendrës së përbashkët turko-ruse të monitorimit në Malësinë e Karabakut, duke thënë se ajo do të bëhet operative që nesër.

Ministri Hulusi Akar për Anadolu Agency (AA) tha se në një bisedë telefonike ai ka diskutuar çështje të mbrojtjes dhe sigurisë me homologun e tij azerbajxhanas, Zakir Hasanov.

Akar kujtoi se memorandumi i mirëkuptimit për të ngritur një qendër të përbashkët për të monitoruar marrëveshjen e paqes në territoret e çliruara azerbajxhanase nga pushtimi i Armenisë u nënshkrua me homologun e tij rus Sergey Shoygu më 11 nëntor 2020.

“Punimet për krijimin e Qendrës së Përbashkët kanë përfunduar. Qendra e Përbashkët, ku ushtarët turq dhe rusë do të veprojnë, do të fillojë aktivitetet e saj nesër”, tha ai.

Duke theksuar se zhvillimet e fundit u diskutuan me Hasanovin, Akar u shpreh optimist se qendra do të kontribuojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Besojmë se qendra e përbashkët, ku do të veprojnë një gjeneral dhe 38 pjesëtarë të stafit tonë, do të japë kontribute të mëdha në vazhdimësinë e armëpushimit dhe në sigurimin e paqes dhe stabiliteti në rajon”, theksoi ai.

Akar u zotua të vazhdojë të mbrojë të drejtat e popullit azerbajxhanas, duke u shprehur se Turqia “ka marrë anën e vëllezërve/motrave tona azerbejxhanase në përputhje me konceptin një komb-dy shtete dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Çlirimi i Malësisë së Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, që nga viti 1991 kanë qenë të tensionuara, pasi ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si një territor azerbajxhanas.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete, si dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi pothuajse 3-dekadësh i Armenisë.

Pavarësisht marrëveshjes që i dha fund konfliktit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, ushtria armene disa herë shkeli marrëveshjen, martirizoi disa ushtarë azerbajxhanas dhe një civil, si dhe plagosi shumë të tjerë.

Armëpushimi konsiderohet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të të cilës janë tërhequr në bazë të marrëveshjes.

Kategoritë
BotaLajme