PSHDK braktis LDK-në, i bashkohet koalicionit të VV-së: Njohësit paralajmërojnë krizë të thellë në LDK

17 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim në KQZ, përfshirë koalicionin e ri të VV-së me GUXO, Alternativën dhe PSHDK-në. Analistët thonë se lëvizja e PSHDK-së është sinjal alarmi për bazën rugoviane.

Kur kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në përfundim të afatit të aplikimit, deri në orën 20:30 të së dielës, 17 subjekte politike kanë dorëzuar kërkesat për certifikim në KQZ, për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Tri prej tyre janë koalicione, përfshirë edhe atë të “Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga VV, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Largimi i PSHDK-së nga aleanca tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka ngjallur reagime të forta në skenën politike. Njohësi i zhvillimeve politike, Sylë Ahmeti, e cilëson këtë si një sinjal serioz për elektoratin rugovian dhe një tregues të humbjes së besimit në LDK.

Ahmeti: Koalicionet e çoroditura të LDK-së i dhanë fund aleancës me PSHDK-në

Sipas Ahmetit, partitë janë futur në një garë të ashpër mobilizimi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke mbledhur çdo subjekt që u del përpara, çka sipas tij dëshmon krizë të thellë besimi në mesin e aleatëve tradicionalë.

Ai thotë se e njëjta qasje po shihet edhe te LDK, PDK dhe AAK duke theksuar se braktisja e PSHDK-së është “alarm i kuq” për bazën rugoviane.

Ahmeti kritikon drejtimin aktual të LDK-së duke e akuzuar kryetarin Lumir Abdixhiku për orientim të gabuar politik. Sipas tij, tentimi për të krijuar koalicione “pa kushte” me subjekte të ndryshme vetëm për të forcuar listën zgjedhore, ka dëmtuar themelet e partisë.

“Hapja e derës për Fatmir Limajn ishte një gabim i madh politik dhe strategjik, që mund ta ketë shtyrë PSHDK-në t’i bashkohet VV-së,” deklaron Ahmeti për Kosova.info. Ai shton se edhe deklarimet për koalicion me AKR-në, një parti që sipas tij ka humbur peshën politike, e kanë thelluar distancimin e aleatëve tradicionalë të LDK-së.

Ahmeti paralajmëron se LDK ndodhet në një udhëkryq historik: ose të reformohet dhe të rikthehet në rolin e saj institucional të para një dekade, ose të rrezikojë deformim dhe humbje të mëtejshme të peshës politike.

Ai bën thirrje për “kthim urgjent të vlerave rugoviane”, reformim të strukturës dhe largim të individëve që, sipas tij, vendosin interesat personale mbi ato të qytetarëve dhe shtetit.

Përveç Ahmetit, analisti Visar Kastrati vlerëson se LDK është rikthyer në praktikën e koalicioneve të dobëta para zgjedhore, jo nga pozita force, por nga frika e ruajtjes së rezultatit të fundit zgjedhor.

Kastrati: Abdixhiku po rrezikon partinë me aleanca pa busull

“Kualicioni me PSHDK-në është i natyrshëm, por jo vendimtar elektoral, pasi PSHDK nuk ka një bazë të gjerë votash. Ndërkaq, një koalicion i mundshëm me Nismën do të ishte krejtësisht jashtë premisave programore dhe orientimeve politike të LDK-së duke i sjellë më shumë dëm sesa përfitim,” thekson Kastrati për Kosova.info.

Ai shton se LDK duhet të fokusohet te forca e saj e brendshme: “Lidhja Demokratike duhet të garojë si parti e vetme dhe të shfrytëzojë ekipin e saj me figura që kanë përvojë dhe integritet. Vetëm kështu mund të rikthehet si forcë serioze konkurruese.”

Analistët pajtohen se LDK ndodhet në një udhëkryq të madh: të reformohet duke u kthyer te vlerat rugoviane, ose të rrezikojë defaktorizimin më të thellë në skenën politike. /Kosova.info/

Kategoritë
LajmeVendi