Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u kap dje nga forcat amerikane së bashku me bashkëshorten e tij dhe u dërgua në paraburgim në New York, u fotografua disa herë pas arrestimit. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se në çdo pamje ai ishte i veshur ndryshe. Megjithatë, arsyeja nuk lidhet me modën, por me udhëtimin dhe rreziqet shëndetësore që vijnë nga ndryshimet e mëdha të temperaturës.
Në pamjet e para, Maduro shihet me një xhup sportiv me zinxhir dhe një bluzë të bardhë poshtë. Më vonë ai u pa me një tjetër bluzë sportive, pastaj me xhaketë dhe kapelë. Kjo lidhet me faktin se, gjatë bastisjes së Delta Force, ai dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores u nxorën nga dhoma e gjumit, ku mendohet se ai ishte i veshur lehtë, vetëm me bluzë, pasi në Karakas temperatura ishte rreth 26 gradë Celsius. Edhe pse janari është muaji më i ftohtë në Venezuelë, temperaturat mesatare janë rreth 22 gradë dhe ditët e fundit kanë qenë më të ngrohta se zakonisht.

Ndërsa udhëtimi vazhdoi dhe temperatura ra, Madurës iu vesh një xhaketë shtesë. Kjo shpjegon pse, kur avioni Boeing 757 u ul në New York, ai u pa me një bluzë më të trashë dhe kapelë. Kushtet e motit në New York janë krejtësisht të ndryshme nga ato në Karakas: dje temperatura ishte rreth -6 gradë Celsius, një mot tipik dimëror për këtë periudhë.
Dimri i lagësht i New York-ut e bën të ftohtin të ndihet edhe më i ashpër, veçanërisht për ata që janë mësuar me klimë të ngrohtë dhe të thatë. Edhe pse Maduro nuk dukej qartazi se po vuante nga i ftohti, ecja e tij tregonte një ndjesi shqetësimi.

Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Wisconsin-it në SHBA, personat që ekspozohen ndaj ndryshimeve të menjëhershme të temperaturës – si kalimi nga një ambient i ngrohtë në një të ftohtë – kanë më shumë gjasa të preken nga sëmundje të frymëmarrjes, me simptoma si teshtima, kollë, dhimbje fyti dhe lodhje. Këto ndryshime janë veçanërisht të rrezikshme për personat me astmë, alergji apo sëmundje të zemrës.
Sipas informacioneve, kur ndodhej në selinë e Administratës Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA), ku po kryhej regjistrimi zyrtar dhe procedurat e paraburgimit, Madurës – i cili ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore – i janë konstatuar simptoma të hershme të hipotermisë. Për këtë arsye, ai u vesh në mënyrë “shtresore”: me një xhaketë të zezë të gjatë, të mbyllur deri në grykë, ndërsa poshtë kishte një triko ose bluzë me mëngë të gjata, si dhe një kapelë specifike që mezi i përshtatej kokës.
Ajo që nuk ndryshon në veshjen e Nicolas Maduro-s janë pantallonat dhe këpucët. Ai mban çorape të bardha, të trasha dhe pantofla. Kjo është procedurë standarde për të paraburgosurit në SHBA. Mendohet se Maduro nuk kishte këpucë në momentin e arrestimit, pasi u kap në dhomën e gjumit, ndërsa pantoflat u jepen të gjithë të burgosurve.

Kjo bëhet për të mbrojtur vetë të paraburgosurin dhe të tjerët, pasi këpucët mund të përdoren për të lënduar dikë ose për t’u lënduar vetë, si dhe për të kufizuar lëvizjen dhe për të parandaluar përhapjen e infeksioneve kërpudhore në ambiente të përbashkëta. Çorapet mbahen nga të gjithë të burgosurit jo vetëm për t’u mbrojtur nga i ftohti, por edhe për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë të këmbës me mikroorganizmat në hapësirat e përbashkëta.

















