Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, deklaroi se situata në front po zhvillohet gjithnjë e më shumë në favor të Rusisë dhe se Ukraina duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj. Sipas tij, pas përfundimit të luftës, Ukraina duhet të shndërrohet në një zonë tampon ndërmjet Rusisë dhe NATO-s.
Portali portfolio.hu, duke cituar intervistën e kryeministrit hungarez për gazetën gjermane Welt am Sonntag, raporton se Orbáni tha se Ukraina duhet të kuptojë se vazhdimi i luftës sjell humbje gjithnjë e më të mëdha dhe se lëshimet territoriale ndaj Rusisë, sipas tij, janë të pashmangshme.
Orbán vlerëson se Rusia mund të mbajë territoret që do të përcaktojë një konferencë ndërkombëtare paqeje, ndërsa pjesa e mbetur e Ukrainës do të shërbente si zonë tampon mes Rusisë dhe NATO-s. Ai shtoi se do të ishte e pranueshme që Rusia dhe NATO, në rrethana të tilla, të bien dakord për përmasën dhe pajisjen e ushtrisë ukrainase.
Kryeministri hungarez përsëriti se plani fillestar amerikan me 28 pika për përfundimin e konfliktit ruso-ukrainas është më realist, ndonëse Evropa e ka kritikuar atë si tepër të favorshëm për interesat e Moskës. Sipas Orbánit, pas përfundimit të luftës, Rusia duhet të rikthehet gradualisht në proceset ekonomike globale dhe sanksionet ndaj Moskës të hiqen.
Megjithatë, ky plan më vonë u rishikua nga vetë amerikanët pas konsultimeve me vendet evropiane dhe bisedimeve me Kievin.
Orbáni akuzoi vendet e Bashkimit Evropian se po nxisin luftën për përfitime financiare. Në tubimin kundër luftës të organizuar gjatë fundjavës nga partia në pushtet Fidesz në qytetin Nyíregyháza, ai deklaroi se Perëndimit i përshtatet zgjatja e konfliktit pasi beson se Ukraina mund të fitojë në fushëbetejë.
“Evropianët duan luftë, ne duam armëpushim dhe siguri,” tha Orbán, duke shtuar se “Evropianët mbështesin një luftë që do të paguhet me gjakun e ukrainasve.”
Ai theksoi gjithashtu se arsyeja e agresionit rus është ndjenja e pasigurisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, pasi NATO vazhdoi të zgjerohej drejt lindjes dhe ekzistonte mundësia që edhe Ukraina të bëhej pjesë e Aleancës.
“Rusët kanë të drejtë të kërkojnë sigurinë e tyre dhe nuk duan të kenë NATO-n si fqinj,” u shpreh Orbán.
Të premten, kryeministri hungarez u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Pas bisedimeve, ai shprehu shpresën se Budapesti mund të bëhet vendi i negociatave të paqes mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.









