Një nënkalim për vetura në qytetin e Malishevës, i ndërtuar me miliona euro dhe i përuruar me ceremoni e koncert në gusht 2025, u përmbyt vetëm pak muaj më pas. Më 6 janar 2026, pas reshjeve intensive, nënkalimi u mbush me ujë dhe përkohësisht u bë i pakalueshëm, duke ngritur pikëpyetje për funksionalitetin dhe menaxhimin e projektit.
Komuna e Malishevës deklaroi se përmbytja ndodhi si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe rritjes së nivelit të ujit në lumin Mirusha dhe një degë të tij, çka sipas saj e bëri të pamundur shkarkimin e ujit. Një ditë më pas, nënkalimi u lëshua sërish për qarkullim pasi u pastrua nga uji.
Megjithatë, komuna pranoi se projekti ende nuk e ka përfunduar pranimin teknik. Ky proces, i njohur si “leja e shfrytëzueshmërisë”, verifikon nëse punimet janë kryer sipas projektit dhe kontratës. Profesori i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, Naser Kabashi, theksoi se përmbytje të tilla shpesh lidhen me mosplanifikim adekuat të drenazhimit dhe kapaciteteve për reshje me intensitet të lartë në kohë të shkurtër.
Nënkalimi është pjesë e projektit “Malisheva Urbane” me vlerë rreth 9 milionë euro, i cili përfshin edhe shesh dhe parkingje nëntokësore. Punimet kryesisht janë realizuar nga kompania “B Famis” nga Suhareka, por kjo kompani nuk dha sqarime lidhur me rastin e përmbytjes.
Dyshime edhe për procedurat e tenderimit
Komuna e Malishevës në fund të vitit 2022 hapi tenderin për realizimin e projektit, me vlerë të paraparë rreth 8.9 milionë euro. Në garë ishin dy ofertues:
-
“B Famis” (me konsorcium) me ofertë rreth 8.2 milionë euro
-
“Famis Co” me ofertë rreth 7.7 milionë euro
Megjithatë, kontratën e fitoi “B Famis”, pasi “Famis Co” u shpall “i papërgjegjshëm” për mungesë dokumentacioni, edhe pse kishte ofertën më të ulët. Ndërkohë, në vitin 2025, komuna hapi edhe një tender shtesë prej rreth 823 mijë euro, i cili iu dha me negocim kompanisë “B Famis”, me arsyetimin se gjatë punimeve kishin dalë punë shtesë.
Ekspertja e INPO-së, Albulena Ndrecaj, e cilësoi praktikën e konkurrimit të kompanive të lidhura mes vete në të njëjtin tender si një nga format klasike të manipulimit të ofertave në prokurim publik, duke theksuar se përgjegjësia për mbrojtjen e parasë publike i takon autoritetit kontraktues.











