Prof. Dr. Gezim Qerimi shpall kandidaturën për deputet: “Shërbimi ndaj vendit është detyrim moral”

Prof. Dr. Gezim Qerimi ka shpallur sot nisjen zyrtare të angazhimit të tij politik si kandidat për deputet, duke theksuar se shërbimi ndaj vendit është detyrim moral dhe qytetar, si dhe domosdoshmëri për një përfaqësim më të denjë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Postimi i tij në Facebook: 

Të nderuar qytetarë, motra dhe vëllezër,
Me bindjen e thellë se shërbimi ndaj vendit është detyrim moral dhe qytetar, sot po e nis zyrtarisht rrugëtimin tim politik, si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky vendim vjen si frymëzim nga shumë gra, burra e të rinj, që me punën, kontributin dhe sakrificën e tyre kanë lënë gjurmë të thella në jetën shoqërore.
Megjithatë, dua t’i veçoj dy personalitete që përfaqësojnë vlerat më të larta të kombit tonë, lirinë dhe humanizmin, e që kanë ndikuar thellë në vendimin tim për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontribut në jetën publike. Përjetimi i luftës çlirimtare më bëri të frymëzohem nga heroi kombëtar Adem Jashari, simbol i sakrificës supreme për liri dhe pavarësi, ndërsa në vitet e fundit duke qenë dëshmitar dhe mik me humanistin e madh shqiptar Halil Kastrati, njeriun që mishëron në mënyrën më të pastër vlerën e humanizmit.
Një shtytje tjetër, që ta marrë këtë vendim janë gjenerata të tëra studentësh dhe nga gjithë brezi i të rinjve, të cilët meritojnë një përfaqësim më të mirë dhe një të ardhme më dinjitoze. Prandaj, po e nis angazhimin tim politik në shërbim të çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Vendi ynë ka nevojë për përfaqësues që me integritet, dije, si dhe me urtësi angazhohen me përkushtim në interesin publik, për njerëz që interesin e qytetarëve e vënë në rend të parë, mbi çdo interes personal, grupor apo partiak.
Së bashku me grupin e deputetëve të Listës Familja, në këto zgjedhje, do të garoj si kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari dhe kandidati për kryeministër, z. Bedri Hamza. Së bashku ndajmë një vizion të qartë për një Kosovë me qeverisje të përgjegjshme të bazuar në llogaridhënie dhe transparencë, sistem ligjor funksional dhe zhvillim ekonomik, për rritjen e mirëqenies së çdo qytetari.
Besoj thellësisht se Kosovës i duhet një Kryeministër dhe një Qeveri me vizion të qartë për zhvillim ekonomik, mbrojtjen e familjes dhe vlerave kombëtare, që nuk përçajnë, por me përkushtim e përgjegjësi të lartë angazhohen për stabilitet shoqëror dhe fuqizim të pozicionit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare.
Familja ka qenë dhe mbetet shtylla më e fortë e angazhimit tonë publik e kombëtar. Ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet shoqëria, vendi ku mësohen vlerat, lind përgjegjësia dhe formohet karakteri qytetar.
Ne do të punojmë për politika që e mbrojnë dhe e fuqizojnë familjen, politika që e rikthejnë nderin dhe rolin e nënës e të babait, që ua japin prindërve respektin e merituar dhe stabilitetin e duhur ekonomik dhe të rinjve shpresë e mundësi reale për të ardhmen.
Kur forcohet familja, forcohet edhe kombi.
Koha për përgjegjësi dhe kontribut në shoqërinë tonë ka ardhur, dhe unë jam gati të jap kontributin tim.
Në këtë rrugëtim politik, mbështetja juaj është e pazëvendësueshme dhe e domosdoshme. Prandaj, përmes këtij komunikimi, kërkoj mbështetjen dhe besimin tuaj dhe mirëpres çdo vullnetar që dëshiron të bëhet pjesë e ekipit tim dhe të ndihmojë fushatën time zgjedhore.
Kosova meriton më mirë.
Zoti na bëftë të dobishëm për shoqërinë dhe shtetin tonë!

Kategoritë
LajmeVendi