Presidenca kosovare ka shprehur gatishmëri për përshpejtimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi Presidenca pas këtij takimi, Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me SHBA-në si aleatin kryesor të Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Osmani e ka falënderuar Chollet për angazhimin proaktiv të SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve.
Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha presidentja Osmani.
Osmani dhe Chollet biseduan edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Këtu Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të ShBA-së dhe Kosovës, “ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike”.
Në fund Presidenca njoftoi se bazuar në nismën e presidentes Osmani për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-në, të iniciuar formalisht nga presidentja Osmani para gjashtë muajsh, është shprehur gatishmëri për përshpejtimin e procesit të dialogut në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve.
Chollet në këtë takim me presidenten kosovare është shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës-ndihmëssekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës-ndihmëssekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.
