Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit special të SHBA-së dhe BE-së

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit special të SHBA-së dhe BE-së

Osmani në këtë takim ka shprehur përkushtimin që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Anadolu.

Siç njoftohet nga Presidenca, Osmani në këtë takim ka shprehur përkushtimin që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

“Presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, theksoi Osmani.

Tutje Osmani potencoi se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Në takim me të dy emisarët, presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Emisarët Escobar dhe Lajçak do të takohen sot gjatë ditës edhe me krerë të partive opozitare në vend si dhe me përfaqësues të partisë më të madhe serbe Lista Serbe.

Ata u takuan dje me kryeministrin Albin Kurti, ku pas takimit rreth dy orësh, Lajçak tha se kanë prezantuar një propozim me tre elemente për aktualitetin në vend që përfshin: deeskalimi i situatës në terren në veri, zgjedhje të reja të shpejta në veri dhe kthim në dialog dhe procesin e normalizimit.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova