Presidenti i sapozgjedhur argjentinas, Javier Milei, ka dhënë intervistën e parë për mediat e huaja për gazetën “Kfar Chabad”, në të cilën ka thënë se do të transferojë ambasadën e Argjentinës në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.
Ai kritikoi liderët e Amerikës së Jugut që nuk e mbështesin Izraelin.
“Ne duhet të braktisim hipokrizinë. Kam në plan të inkurajoj liderët e tjerë të Amerikës së Jugut dhe global që të intensifikojnë përpjekjet për të kthyer pengjet në shtëpi dhe për të njohur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij me çdo mjet të nevojshëm. Dhe unë do ta bëj këtë pa hezitim apo rezervë.” tha Milei.
I pyetur në lidhje me premtimin e tij për të zhvendosur ambasadën e Argjentinës në Jerusalem nëse ai bëhet president, Milei tha se ai synon të mbajë fjalën e tij.
“Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe zhvendosja e ambasadës sonë atje do të simbolizojë këtë njohje. Shpresoj që shumë vende të tjera të ndjekin shembullin”, tha Milei.
Milei më parë la të kuptohet për mundësinë e konvertimit në judaizëm. Ai ndan një marrëdhënie të ngushtë me Zvi Greenblatt, i dërguari i Chabad në Buenos Aires.
“Unë nuk shkoj në kishë, unë shkoj në sinagogë. Udhërrëfyesi im nuk është prift, është rabin. Unë studioj Torën. Jam i njohur si një mik i Izraelit,” tha ai muajin e kaluar.
Ai u pa së fundmi duke valëvitur një flamur izraelit në Rosario.
“Unë jam një ekonomist. Vite më parë, kur jepja mësim ekonominë, kisha një student të vlefshëm. Ai ishte nga një familje e njohur hebreje në komunitetin sefardik të Buenos Aires, i cili zotëronte disa nga hotelet dhe qendrat tregtare më të mëdha në Argjentinë. Ai student, që më shumë i ngjante rabinit sesa ekonomistit, bënte pyetjet më të menduara gjatë mësimeve të mia”; tha Miley.

