Presidenti i Kolumbisë bën thirrje për krijimin e një ushtrie për çlirimin e Palestinës

“Nëse ushtria amerikane nuk është e aftë të mbështesë vendimet e drejtësisë ndërkombëtare, atëherë është detyrë e OKB-së të krijojë një ushtri për të çliruar Palestinën”, deklaroi Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, bëri thirrje për krijimin e një ushtrie të përbashkët me mbështetjen e vendeve që kundërshtojnë gjenocidin në Gaza me qëllimin për të çliruar Palestinën, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, Petro përsëriti thirrjen e tij për krijimin e një ushtrie të përbashkët për çlirimin e Palestinës.

“Nëse ushtria amerikane nuk është e aftë të mbështesë vendimet e drejtësisë ndërkombëtare, atëherë është detyrë e Kombeve të Bashkuara (OKB) të krijojë një ushtri për të çliruar Palestinën. Është legjitime t’u kërkohet qeverive dhe ushtrive të mbrojnë demokracinë”, deklaroi Petro.

Edhe në fjalimin e tij në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator, Petro u shpreh: “U bëj thirrje kombeve dhe popujve të botës të bashkojnë ushtritë dhe armët e tyre, mbi të gjitha në emër të njerëzimit. Shteti i Palestinës duhet të krijohet”.

Gustavo Petro dhe muzikanti britanik Roger Waters, një nga themeluesit e Pink Floyd, morën pjesë në një demonstratë që u zhvillua në Times Square më 27 shtator në mbështetje të Palestinës dhe kundër Izraelit.

“Ajo që po ndodh në Gaza, me kuptimin e plotë të fjalës është gjenocid. Kjo nuk ka shpjegim tjetër. Qëllimi është shkatërrimi i popullit palestinez”, ishte shprehur Petro.

Kategoritë
BotaLajme