Erdoğan theksoi rëndësinë e këtij misioni, si një përpjekje shkencore dhe si burim frymëzimi për fëmijët dhe të rinjtë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar përmes video-konferencës me astronautin e parë turk Alper Gezeravcı gjatë një takimi të kabinetit, raporton Anadolu.
Gezeravcı do të dërgohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) në kuadër të “misionit të parë hapësinor me njerëz”, i cili është pjesa e parë e Programit Kombëtar të Hapësirës të Türkiyes.
Duke folur në takim, Erdoğan tha se Gezeravcı do të nisë një mision historik të mërkurën vonë.
Erdoğan theksoi rëndësinë e këtij misioni, si një përpjekje shkencore dhe si burim frymëzimi për fëmijët dhe të rinjtë.
Erdoğan shprehu shpresën se “ky mision do të ishte një fillim i ri”.
“Ne do të vazhdojmë këtë mision. Ne do të synojmë gjithmonë më lart. Ne ju jemi mirënjohës për hapjen e perdes që kufizon ëndrrat tona për brezat e ardhshëm”, tha presidenti turk.
Gezeravcı, nga ana e tij, tha se aktualisht ndodhet në karantinë në Orlando të Floridës, ku do të kryejë aktivitetet e “misionit të parë hapësinor me njerëz”.
“Ne e konsiderojmë astronautin tonë të parë turk, të cilin do të dërgojmë në hapësirë nesër mbrëma në orën 01:11 të mëngjesit (2211 GMT), si një simbol të ri të një Türkiye në zhvillim, fuqizim dhe këmbëngulje”, tha Ministria Turke e Industrisë dhe Teknologjisë në një deklaratë të lëshuar pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Sipas deklaratës, presidenti Erdoğan i ka uruar suksese astronautit Gezeravcı në studimet e tij shkencore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.