Presidenti algjerian Abdulmajid Tebboune zhvilloi bisedë telefonike me presidentin palestinez Mahmud Abbas
Presidenti i Algjerisë, Abdulmajid Tebboune, ka deklaruar se vendi i tij është në solidaritet të plotë me popullin palestinez si shtet dhe komb dhe ka përsëritur mbështetjen e tij për çështjen palestineze, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim të Presidencës algjeriane, thuhet se presidenti Tebboune dhe ai palestinez Mahmud Abbas kanë pasur një bisedë telefonike.
Gjatë bisedës, Abbas e ka informuar Tebbounen për “shkeljet e rënda” të kryera nga “shteti pushtues izraelit” kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Presidenti Tebboune ka përsëritur mbështetjen e tij për çështjen palestineze, duke theksuar se Algjeria është në solidaritet të plotë me popullin palestinez si shtet dhe komb.
Ai ka theksuar se zhvillimet në territoret palestineze tregojnë se nuk do të jetë e mundur të arrihet një paqe e drejtë dhe gjithëpërfshirëse në rajon nëse nuk krijohet një shtet i pavarur dhe sovran palestinez me kryeqytet Kudsin.
Nga ana tjetër, presidenti palestinez Abbas falënderoi Presidentin Tebboune për mbështetjen e Algjerisë ndaj çështjes palestineze.
