Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin e presidencës thuhet se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, ku Osmani ka potencuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë pas ndalimit të qytetarëve dhe arrestimet e policëve të Kosovës.
“Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, ku Presidentja potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.”
Në takim është diskutuar edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për procesin e votimit që do të mbahet këtë të dielë në katër komunat në veri të Kosovës.
“Temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani.”
Gjithashtu, Presidenca thotë se Hovenier e ka përgëzuar Osmanin “për një edicion të suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar”.