Pothuajse gjysma e amerikanëve besojnë se SHBA shpenzon shumë për ndihmën për Kievin

Pothuajse gjysma e votuesve amerikanë besojnë se Shtetet e Bashkuara shpenzojnë shumë për ndihmën për Ukrainën. Kështu thuhet në një sondazh të publikuar sot nga Financial Times.

Rezultatet e sondazhit u publikuan në ditën kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fillon një vizitë në SHBA për të kërkuar mbështetjen e mëtejshme të SHBA.

Sipas sondazhit, 48 për qind e të anketuarve besojnë se SHBA po shpenzon “shumë” para për mbështetje ushtarake dhe financiare për Kievin në luftën kundër Rusisë, ndërsa 27 për qind janë të bindur se Uashingtoni po jep “shumën e duhur”. Sipas 11 për qind të të anketuarve, ndihma amerikane nuk është e mjaftueshme.

Kundër ndihmës ushtarake dhe financiare ishin kryesisht votuesit republikanë, 65 për qind e të cilëve thanë se SHBA shpenzon shumë për ndihmën për Ukrainën. Rreth 52 përqind e votuesve të pavarur thanë kështu, dhe vetëm 32 përqind e demokratëve.

Administrata e presidentit Joe Biden po përpiqet të bindë Kongresin që të ndajë miliarda dollarë për Ukrainën për luftën kundër Rusisë. Republikanët në Senatin amerikan javën e kaluar bllokuan propozimin e Biden për ndihmë të re për Ukrainën, por edhe për Izraelin, i cili tani po lufton Hamasin në Rripin e Gazës.

Në këmbim të mbështetjes së paketës, senatorët po kërkojnë një shtrëngim të konsiderueshëm të politikës amerikane të imigracionit, të cilën demokratët e kundërshtojnë.

Kategoritë
BotaLajme