Vendimi i disa shteteve për të bojkotuar pjesëmarrjen në Eurosong 2026 për shkak të Izraelit shumë shpejt u zhvendos nga sfera muzikore në atë politike, dhe ndër më të zëshmit në thirrjen për ndërprerje të plotë të marrëdhënieve me Izraelin janë politikanët nga Spanja.
Pasi Spanja njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Eurosong 2026, pra se do ta bojkotojë garën për shkak të vendimit të Unionit Evropian të Radiodifuzionit për t’i lejuar Izraelit pjesëmarrjen pavarësisht gjithçkaje, pasuan reagime të ashpra si nga Spanja ashtu edhe nga Izraeli.
Ndër të parët që reagoi ishte anëtarja e Parlamentit Evropian dhe politikania spanjolle Irene Montero e cila përshëndeti vendimin e Radiotelevizionit të Spanjës (RTVE) për bojkot dhe theksoi se kjo duhet të jetë një hap tjetër drejt ndërprerjes së plotë të marrëdhënieve me Izraelin.
“Është e tmerrshme që Eurosong vendosi ta mbajë Izraelin në garë. Por RTVE dërgon një mesazh të fuqishëm duke u tërhequr; duhet të vazhdojmë presionin derisa të ndalet genocidi. Qeveria duhet të jetë po aq e guximshme sa RTVE dhe të ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin,” tha Montero.
Për vendimin u deklarua edhe ministri i Kulturës së Spanjës, Ernest Urtasun.
“Vendimi i RTVE është i drejtë: Izraeli nuk mund të justifikohet përballë genocidit në Gaza. Kultura duhet të qëndrojë në anën e paqes dhe drejtësisë. Jam krenar për RTVE, që vendos të drejtat e njeriut mbi çdo interes ekonomik,” tha ai.
Kujtojmë se, përveç Spanjës, bojkotin e Eurosongut e kanë paralajmëruar Irlanda, Holanda dhe Sllovenia, dhe gjatë ditëve në vijim nuk përjashtohet mundësia që këtij grupi t’u bashkohen edhe disa shtete të tjera evropiane.









