Policia izraelite ndërhyn kundër hebrenjve Haredi që protestonin kundër shërbimit ushtarak

Policia izraelite ndërhyri kundër hebrenjve ultra-ortodoksë që protestonin kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak përpara zyrës së rekrutimit ushtarak në Kudsin Lindor të pushtuar

Policia izraelite ndërhyri kundër hebrenjve ultra-ortodoksë (Haredi) që protestonin kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak përpara zyrës së rekrutimit ushtarak në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Në mediat sociale nga llogaria X e përdoruesit të quajtur “Torah Judaism” u publikua një deklaratë dhe imazh në lidhje me çështjen. Në pamje shihen forcat izraelite duke ndërhyrë ashpër në protestën e hebrenjve, të cilët dallohen për nga veshja me rroba të zeza dhe flokë të gjata.

“Ndërsa hebrenjtë anti-sionistë protestonin kundër ushtrisë sioniste në hyrje të zyrës së rekrutimit të Forcave të Armatosura izraelite në rrugën Rashi të Kudsit, policia izraelite ndërhyri brutalisht kundër hebrenjve”, thuhet në postim.

Në postim theksohet se “ushtria izraelite është armiku i Torës dhe Judaizmit” dhe se “Izraeli nuk është vendi i hebrenjve”.

Në Izrael, çdo shtetas mashkull dhe femër që mund të mbajë armë ka për detyrë të marrë pjesë në luftë. Nga ky detyrim nuk përjashtohen as izraelitët që jetojnë jashtë vendit. Ekziston një pjesë e besimtarëve hebrenj që nuk përfshihen në shërbimin ushtarak dhe kjo është temë debati në vend.

Hareditë, shumica e të cilëve refuzojnë të shërbejnë në ushtri për arsye fetare, përbëjnë afërsisht 12 për qind të popullsisë së Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme