Po përgatitet të fitojë zgjedhjet në Namibi: Emri i tij është Adolf Hitler

Në Namibi, një nga vendet më të varfra të Afrikës, një politikan që mban emrin Adolf Hitler po përgatitet të fitojë zgjedhjet lokale në veri të vendit. Ai është bërë i njohur pikërisht për emrin e tij…

Adolf Hitler Uunona, 59 vjeç, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 26 nëntor, pritet të dalë fitues.

PO PËRGATITET TË FITOJË ZGJEDHJET

Hitler kishte fituar një ulëse pesë vjet më parë në të njëjtin rajon duke marrë 85 për qind të votave.

Si anëtar i partisë së majtë Swapo, Hitler ishte bërë temë e gjerë në mediat botërore në vitin 2020 kur fitoi zgjedhjet në rajonin Ompundja për shkak të emrit që mban.

“BABAI IM NUK E DINTE”

Duke folur për gazetën gjermane Bild në atë kohë, Hitler kishte thënë se babai i tij nuk e dinte kush ishte lideri nazist kur ia kishte vendosur emrin.

“Babai im ndoshta nuk e dinte se çfarë përfaqësonte Adolf Hitleri. Kur isha fëmijë, emri im më dukej krejtësisht normal”, tha Hitler, duke shtuar se me kalimin e viteve e kuptoi barrën historike që mbante ky emër.

Hitler kishte deklaruar: “Ndërsa u rrita, mësova se ky njeri donte të pushtonte gjithë botën. Nuk kam asnjë lidhje me asgjë prej këtyre.”

HEZITON TË PËRDORE FJALËN “HITLER” NË PUBLIK

Bashkëshortja e Uunonës i drejtohet atij me emrin “Adolf”.

Në hapësira publike, ata shmangin përdorimin e fjalës “Hitler”.

Megjithatë, politikani thekson se nuk mendon ta ndryshojë emrin: “Në të gjitha dokumentet zyrtare jam i regjistruar kështu. Tani është shumë vonë.”

Namibia, e cila dikur ka qenë koloni gjermane, ende mban shumë toponime në gjuhën gjermane.

Gjithashtu, emra tradicionalë si “Adolf” vazhdojnë të jenë mjaft të zakonshëm.

Kategoritë
BotaLajme