Përplasje verbale mes kreut të diplomacisë izraelite dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara: Në cilën botë jetoni ju?

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen, ka thënë sot se nuk do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pasi që ai kritikoi bombardimet izraelite në Gazë.

“Nuk do ta takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Pas masakrës së 7 tetorit, nuk ka vend për një qasje të ekuilibruar. Hamasi duhet të zhduket nga faqja e dheut”, tha sot Cohen në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, Guterres tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar që po shohim në Gaza”.

“Të mbrosh civilët nuk do të thotë të urdhërosh më shumë se një milion njerëz të evakuohen në jug, ku nuk ka strehë, ushqim, ujë, ilaçe apo karburant – dhe më pas të vazhdosh të bombardosh vetë jugun”, tha Guterres.

“Më lejoni të jem i qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”, shtoi ai.

Guterres tha në të njëjtin fjalim se “ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe ato sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.

 

Kategoritë
BotaLajme