Pentagoni për herë të parë që nga fillimi i agresionit ndaj Iranit zbuloi numrin e ushtarëve amerikanë të plagosur

Që nga fillimi i luftës me Iranin janë plagosur 140 ushtarë amerikanë, por shumica e plagëve kanë qenë të natyrës më të lehtë, njoftoi Pentagoni. Ky njoftim erdhi pak pasi Reuters raportoi se janë plagosur më shumë se 150 ushtarë amerikanë.

“Nga fillimi i operacionit Epic Fury, rreth 140 ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë dhjetë ditëve të sulmeve të vazhdueshme. Shumica dërrmuese e këtyre plagëve kanë qenë të lehta, ndërsa 108 ushtarë tashmë janë kthyer në detyrë. Tetë ushtarë vazhdojnë të konsiderohen të plagosur rëndë dhe po marrin nivelin më të lartë të kujdesit mjekësor”, thuhet në deklaratën e publikuar të martën nga zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.

Reuters nuk ka mundur të përcaktojë se për çfarë lloji plagësh bëhet fjalë, as nëse mes tyre ka lëndime traumatike të trurit, të cilat janë të zakonshme pas ekspozimit ndaj shpërthimeve.

Irani, që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, ka ndërmarrë sulme kundërpërgjigjëse ndaj bazave ushtarake amerikane. Ai gjithashtu ka goditur misione diplomatike në shtetet arabe të Gjirit, si dhe hotele dhe aeroporte, duke dëmtuar edhe infrastrukturën e naftës.

Pentagoni thekson se numri i sulmeve iraniane ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës, ndërkohë që ushtria amerikane po bombardon depot e armëve iraniane dhe po synon një numër të kufizuar të lëshuesve të raketave iraniane.

I pyetur nëse Irani është një kundërshtar më i fortë sesa pritej kur ushtria amerikane po përgatiste planet e luftës, gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, u tha gazetarëve më herët të martën se luftimet nuk janë më të vështira se sa ishte parashikuar.

“Mendoj se ata po luftojnë dhe këtë e respektoj, por nuk mendoj se janë më të fortë sesa kemi menduar”, tha Caine gjatë një konference për media në Pentagon.

Deri më tani, SHBA-ja ka pranuar shtatë raste vdekjesh të ushtarëve që kanë humbur jetën drejtpërdrejt nga sulmet iraniane. Irani pretendon se numri i viktimave është shumë më i madh.

Kategoritë
BotaLajme