Pentagoni paralajmëroi ashpër Evropën: Nëse blini vetëm armët tuaja, do të pasojë kundërpërgjigjja

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa reciproke ndaj vendeve evropiane nëse Bashkimi Evropian, në planin e tij për riarmatimin e kontinentit, favorizon prodhuesit vendas të armëve në dëm të atyre amerikanë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) kundërshtoi fuqishëm çdo përpjekje të BE-së për të kufizuar aksesin e prodhuesve amerikanë në tregun evropian, duke theksuar se një hap i tillë do të sillte reagim reciprok. Këto vërejtje, të pa publikuara më parë, u paraqitën në fillim të muajit në kuadër të konsultimit publik të Komisionit Evropian mbi rregullat e reja të prokurimit të mbrojtjes.

“Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë me forcë çdo ndryshim të Direktivës që do të kufizonte aftësinë e industrisë amerikane për të mbështetur ose për të marrë pjesë në prokurimet kombëtare të mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së”, deklaroi administrata amerikane përpara përditësimit të planifikuar të legjislacionit evropian.

Nga Washingtoni u shtua se “politikat proteksioniste që përjashtojnë kompanitë amerikane nga tregu janë rrugë e gabuar”, veçanërisht duke pasur parasysh se firmat kryesore evropiane të mbrojtjes vazhdojnë të përfitojnë nga qasja e lirë në tregun amerikan.

Ky zhvillim nënvizon një paradoks të njohur në qasjen amerikane ndaj Evropës: ndërsa administrata Trump kërkon që evropianët të mbajnë më shumë barrë për mbrojtjen e tyre, Washingtoni nuk dëshiron që kjo të ndodhë në kurriz të prodhuesve amerikanë të armëve.

Evropa kërkon më shumë pavarësi, SHBA paralajmëron kufizime

Komisioni Evropian, sidomos në dritën e tensioneve me Rusinë, synon të rrisë pjesën e armatimit evropian në arsenalet e BE-së. Aktualisht, Evropa mbetet shumë e varur nga pajisjet ushtarake amerikane:

  • Pothuajse dy të tretat e armëve të importuara në BE vijnë nga SHBA.

  • Sistemet më të përhapura përfshijnë avionët F-35, HIMARS dhe Patriot.

Komisioni Evropian pritet të paraqesë në tremujorin e tretë përditësimin e Direktivës së vitit 2009, mes debateve mbi rregulla më të forta “Bli Evropiane”. BE tashmë favorizon prodhuesit vendas në programe si SAFE (150 miliardë euro) dhe në furnizimet për Ukrainën, përfshirë një kredi prej 90 miliardë eurosh. Sipas planeve aktuale, fondet e BE-së mund të përdoren vetëm nëse të paktën 65% e vlerës së pajisjeve është me origjinë evropiane.

Pentagoni bëri të qartë se një klauzolë e fortë që favorizon kompanitë evropiane do të sillte kundërpërgjigje.

Nëse këto masa zbatohen, SHBA ka gjasa të heqë përjashtimet ekzistuese nga rregullat “Buy American”, të cilat aktualisht lejojnë kompani evropiane – si Leonardo dhe Saab – të marrin pjesë në tenderët e Pentagonit. Heqja e tyre do të nënkuptonte kufizim efektiv të aksesit të industrisë evropiane në tregun amerikan.

Administrata amerikane argumenton se një hap i tillë nga BE-ja do të dobësonte NATO-n, do të kufizonte lirinë e prokurimit të shteteve anëtare dhe do të binte ndesh me marrëveshjet tregtare SHBA-BE. Një qëndrim i ngjashëm, në ton më të moderuar, u mbështet edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Kategoritë
BotaLajme