Pas reduktimeve dhe njoftimit të KEDS për rritjen e ngarkesës, qytetarët reagojnë ashpër

Pas reduktimeve të energjisë elektrike që kanë zgjatur deri në 10 orë në ditë dhe pas njoftimit të KEDS për rritjen e ngarkesës në rrjet, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale, shkruan Gazeta e Re.

Shumë prej tyre theksojnë se furnizimi me energji është obligim i kompanisë, dhe nuk pranojnë që përgjegjësia për menaxhimin e rrjetit të ulet mbi qytetarët që paguajnë faturat.

“Ne paguajmë aq sa shpenzojmë. Nuk është puna jonë se si do ta sigurojnë rrymën”, shkruan një qytetar, ndërsa të tjerë akuzojnë KEDS-in për mungesë investimesh në rrjet dhe për menaxhim joefikas, duke theksuar se infrastruktura energjetike nuk është përmirësuar me rritjen e konsumit.

Disa komentues shprehin revoltën e tyre më të ashpër: “Keni gjetur popull dele, po luani me ne”, duke pasqyruar frustrimin që ka krijuar situata e reduktimeve të gjata.

Qytetarët kërkojnë investime konkrete, furnizim të qëndrueshëm dhe transparencë, duke theksuar se stabiliteti i energjisë është përgjegjësi e institucioneve dhe kompanive përkatëse, jo e konsumatorëve./Gazeta e Re

Njoftimi i KEDS-it

Ngarkesë rekord e energjisë elektrike në Dhjetor – KEDS apelon për shfrytëzim racional

Dje, sistemi elektroenergjetik në Kosovë ka arritur ngarkesën më të lartë për muajin dhjetor, duke regjistruar 1,365 MW gjatë intervalit kohor 22:00–23:00, njofton KEDS.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ngarkesa ishte 1,283 MW, shënohet një rritje prej rreth 6%, ndërsa në raport me javën e kaluar (1,223 MW më 14 dhjetor), konsumi është rritur për 11.6% vetëm brenda një jave.

Sipas njoftimit, kjo rritje e vazhdueshme e kërkesës ka shtuar edhe aktivitetet operative në Rrjetin e Shpërndarjes, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Bazuar në të dhënat e KOSTT, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike kanë qenë kryesisht të domosdoshme në këto stacione:

  • Rahovec: deri në 10 MW

  • Prizreni 1: mbi 11 MW

  • Lipjan: 3–5 MW

  • Gjilani 1: 3–5 MW

  • Therandë: rreth 3 MW

Ndërprerje të tjera janë regjistruar edhe në Viti, Prizren IV dhe Shupkovc.

Për të shmangur mbingarkesat e mëdha në rrjet, gjatë vitit janë zbatuar masa balancuese për rishpërndarjen e ngarkesave.

Në fund, KEDS u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, sidomos gjatë orëve të pikut, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të sistemit

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi