Eksperti i së drejtës kushtetuese, Ditar Kabashi, ka sqaruar se sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, komunat nuk kanë kompetencë për të vendosur taksa apo detyrime të reja financiare, përveç atyre që janë të parashikuara shprehimisht me ligj.
Kabashi thekson se ndonëse komunat kanë të drejtë të rregullojnë çështje që lidhen me trafikun, rendin urban dhe mbrojtjen e mjedisit përmes masave administrative, kjo nuk nënkupton kompetencë implicite fiskale. Sipas tij, çdo vendim që përfshin pagesa apo taksa duhet të ketë bazë të qartë ligjore.
Ai rikujton se Ligji për Financat e Pushtetit Lokal ndalon shprehimisht taksimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në komunën përkatëse, duke e bërë të paligjshme çdo tarifë që do t’u imponohej automjeteve që hyjnë nga komunat tjera.
Reagimi i Kabashit vjen pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka paralajmëruar masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe qarkullimit të automjeteve në kryeqytet, përfshirë edhe vendosjen e një pagese prej 1 euro për hyrjen në qytet.
“Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro. Tash i kemi në përfundim këto ditë edhe emërimin, edhe finalizimin e projektit për unazën e brendshme. Jemi duke analizuar edhe mundësinë për një taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës, pra për makinat që vijnë nga jashtë dhe hyjnë në Prishtinë”, ka deklaruar Rama.
Sipas ekspertëve juridikë, çdo iniciativë e tillë duhet të shqyrtohet me kujdes për të shmangur shkeljen e kompetencave ligjore dhe parimeve kushtetuese të barazisë dhe ligjshmërisë.











