Pas disa sulmeve me dronë: Turqia dërgon avionë F-16 në pjesën veriore të Qipros.

Turqia planifikon të hënën të vendosë gjashtë avionë luftarakë F-16 në Qipron Veriore për të forcuar mbrojtjen e komunitetit turk atje, raportoi televizioni NTV.

Ky televizion iu referua burimeve brenda Republikës Turke të Qipros Veriore, pjesës së Qipros që ndodhet nën kontrollin e Turqisë.

Një burim nga Ministria turke e Mbrojtjes tha të shtunën se Turqia po shqyrton vendosjen e avionëve F-16 në Qipro, si pjesë e masave të tjera që po ndërmerren për të garantuar sigurinë e shtetit turko-qipriot, ndërkohë që konfliktet në rajon po përhapen.

Megjithatë, sipas NTV, duket se Ankaraja tashmë e ka marrë këtë vendim dhe avionët pritet të dërgohen së shpejti në këtë ishull.

Kujtojmë se Qiproja ka qenë objekt i dy sulmeve që nga fillimi i sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit.

Sipas zyrtarëve të këtij vendi, grupi Hezbollah nga Libani ka kryer dy sulme të ndara me dronë ndaj një baze ushtarake britanike që ndodhet në Qipro.

Për shkak të këtyre sulmeve, shumë vende evropiane kanë dërguar anije dhe lloje të tjera ndihme për Qipron, përkatësisht për qeverinë në Nikozia, e cila është e njohur ndërkombëtarisht. Ndërkohë, Turqia deri tani është e vetmja që ka dërguar ndihmë ushtarake për pjesën veriore të Qipros.

Kategoritë
BotaLajme