Parlamenti izraelit miratoi tribunal të posaçëm për palestinezët: Transmetim i drejtpërdrejtë dhe dënim me vdekje me procedurë të përshpejtuar

Parlamenti i Izraelit miratoi të hënën një projektligj që parashikon krijimin e një tribunali të posaçëm për palestinezët e akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e udhëhequr nga Hamas më 7 tetor 2023.

Masa u miratua me 93 vota pro dhe asnjë kundër në Knesset, ndërsa deputetët e tjerë munguan ose abstenuan. Ligji i ri parasheh që një trup gjykues i posaçëm të mund të shqiptojë dënimin me vdekje me shumicë votash, ndërsa gjykimet do të zhvillohen në një sallë gjyqi në Jerusalem me transmetim të drejtpërdrejtë.

Për shkak të këtij modeli procedurial, ligji u krahasua menjëherë me gjykimin e kriminelit nazist Adolf Eichmann në vitin 1962, i cili gjithashtu ishte transmetuar publikisht. Eichmann u ekzekutua me varje, që mbetet ekzekutimi i fundit i dënimit me vdekje në Izrael, megjithëse ky dënim ekziston ende formalisht për gjenocid, spiunazh gjatë luftës dhe disa vepra terroriste.

Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmëruan se projektligji e lehtëson tepër shqiptimin e dënimit me vdekje dhe dobëson mbrojtjen e të drejtës për një gjykim të drejtë. Ankesat do të jenë të mundshme, por jo para gjykatave të zakonshme të apelit, por para një gjykate të posaçme të apelimit.

Kundërshtarët e ligjit theksojnë gjithashtu se transmetimi i procedurës para vërtetimit të fajësisë mund t’i shndërrojë gjykimet në spektakël publik, si dhe ngritin shqetësime për besueshmërinë e provave nëse ato janë marrë përmes metodave të ashpra të marrjes në pyetje.

Simcha Rothman, një nga propozuesit e ligjit dhe anëtar i koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, deklaroi se mbështetja e madhe në parlament tregon se deputetët mund të bashkohen “rreth një misioni të përbashkët”.

Disa organizata izraelite për të drejtat e njeriut deklaruan se “drejtësia për viktimat e 7 tetorit është një obligim legjitim dhe urgjent”, por shtuan se përgjegjësia për krimet duhet të kërkohet përmes procedurave që nuk braktisin parimet e drejtësisë.

Lufta nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në ofensivën izraelite janë vrarë mbi 72.628 palestinezë, përfshirë të paktën 846 persona që nga armëpushimi i tetorit të kaluar.

Ky ligj është i ndarë nga masa e miratuar në mars, e cila parashikon dënim me vdekje për palestinezët e dënuar për vrasjen e izraelitëve, por që nuk zbatohet në mënyrë retroaktive për të dyshuarit e sulmit të tetorit 2023.

Kategoritë
BotaLajme