



“Teherani u ka dërguar mesazh vendeve të rajonit, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri te Turqia, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA e godet Iranin… duke kërkuar nga këto shtete që ta ndalojnë Uashingtonin nga sulmi ndaj Iranit,” deklaroi një zyrtar i lartë iranian, i paemëruar, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Këto komente vijnë pas kërcënimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një ndërhyrje ushtarake në Iran për shkak të gjakderdhjes gjatë protestave masive mbarëpopullore kundër qeverisë.
Ndërkohë, Irani planifikon të nisë me varjen e demonstruesve të arrestuar, çka Trump e dënoi duke thënë se në atë rast SHBA do të jepte një “përgjigje të fortë”, pa sqaruar se çfarë forme do të kishte ajo.