SHBA lejon largimin e stafit të Ambasadës në Izrael për shkak të rritjes së tensioneve me Iranin
Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin masa të reja sigurie.
Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, u ka drejtuar një paralajmërim të rëndësishëm punonjësve të ambasadës. Në njoftimin e tij ai ka deklaruar: “Ata që duan të largohen, duhet të largohen sot.”
Në një deklaratë zyrtare, Ambasada e SHBA-së në Izrael bëri të ditur se vendimi është marrë pas zhvillimeve të fundit të sigurisë në rajon.
“Në datën 27 shkurt 2026, Departamenti i Shtetit ka autorizuar largimin nga Misioni në Izrael të personelit të qeverisë amerikane që nuk është në detyrë emergjente, si dhe të familjarëve të tyre, për shkak të rreziqeve të sigurisë,” thuhet në deklaratë.
Paralajmërim urgjent: Largohuni nga vendi
Ambasada amerikane theksoi se, për shkak të rritjes së tensioneve me Iranin, personeli jo-emergjent dhe familjarët e tyre lejohen të largohen nga vendi.
Mund të kufizohen udhëtimet drejt Jerusalemit dhe Bregut Perëndimor
Në deklaratë paralajmërohet gjithashtu se, në varësi të zhvillimeve dhe pa njoftim paraprak, mund të kufizohen ose ndalohen plotësisht udhëtimet e personelit dhe familjarëve të tyre në disa zona të Izraelit, përfshirë Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërkohë, është theksuar se, për sa kohë vazhdojnë fluturimet komerciale, personeli dhe familjarët duhet të marrin në konsideratë mundësinë e largimit nga vendi.

















