Rusia këtë vit nuk do të shfaqë teknikë ushtarake në paradën tradicionale me rastin e 81-vjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e dytë botërore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e vendit.
Manifestimi, i cili mbahet çdo vit më 9 maj në Sheshi i Kuq në Moskë dhe zakonisht shoqërohet me demonstrim të fuqisë ushtarake, këtë herë do të organizohet në një format të ndryshuar.
Sipas njoftimit të publikuar në Telegram, “disa shkolla ushtarake, korpuse kadetësh, si dhe kolonat e teknikës ushtarake nuk do të marrin pjesë në paradën e këtij viti për shkak të situatës aktuale operative”.
Megjithatë, pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të të gjitha degëve të Forcave të Armatosura ruse, si dhe shfaqja e videove të ushtarëve “që kryejnë detyra në zonën e operacionit special ushtarak”, term që autoritetet në Moskë e përdorin për luftën në Ukraine.
Është planifikuar edhe një program ajror. “Gjatë segmentit ajror të paradës, avionët e ekipeve akrobatike ruse do të fluturojnë mbi Sheshin e Kuq, ndërsa në fund të paradës pilotët e avionëve sulmues Su-25 do të ngjyrosin qiellin mbi Moskë me ngjyrat e flamurit të Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.
Vitin e kaluar, paradës i morën pjesë më shumë se njëzet liderë botërorë, përfshirë presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa në defile morën pjesë mijëra ushtarë, përfshirë edhe ata që kanë luftuar në Ukrainë, si dhe u ekspozuan sisteme të ndryshme armatimi, përfshirë tanke dhe dronë të rinj.
Lufta e dytë botërore, i njohur në Rusi si Lufta e Madhe Patriotike, përbën një nga narrativat kryesore historike të pushtetit të presidentit Vladimir Putin.
Putin shpesh i referohet fitores ndaj Gjermanisë naziste për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, duke pretenduar se në Kiev ndodhen “neonazistë” që duhet të largohen nga pushteti.
Ukraine dhe vendet perëndimore i hedhin poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si propagandë dhe duke e përshkruar luftën si një agresion të paligjshëm që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile dhe ka çuar në pushtimin e pjesëve të jugut dhe lindjes së Ukrainës.










